E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngacmonte seksualisht 11-vjeçaren, arrestohet nga policia



Policia e Pogradecit arrestoi Stavri Thanën, i cili akuzohet se ka ngacmuar seksualisht fqinjen e tij

Një 11-vjeçare është ngacmuar seksualisht nga fqinji i saj 25-vjeçar për një vit, përpara se të arrestohej nga policia e Pogradecit. Autori, Stavri Thana, ishte dënuar më parë nga drejtësia “për marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, por pasi ka dalë nga burgu, ka abuzuar edhe me vajzën e mitur, e cila banonte aty pranë. Pas denoncimit të kryer nga familjarët e minorenes, policia në Pogradec ka vënë në pranga 25-vjeçarin. Mësuesit e shkollës 9-vjeçare ku shkollohej e mitura kanë zbuluar ngjarjen shokuese. Ata më pas kanë lajmëruar agjentët e policisë, të cilët kanë kryer edhe arrestimit e abuzuesit Thana. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit në pritje për të dalë përpara gjykatës, për të marrë masën e arrestit.

Vajza 11-vjeçare i ka treguar për këto veprime të turpshme shoqes së saj, e më pas kjo e fundit i ka rrëfyer gjithçka mësueses kujdestare. E alarmuar në lidhje me këtë gjë, ajo ka informuar drejtorin e shkollës dhe është lajmëruar policia. Nën praninë e një psikologu dhe të prindërve të saj, e mitura është marrë në pyetje. Ndërkohë që është kryer edhe denoncimi në polici. Sipas burimeve nga policia, 25-vjeçari kishte rreth 12 muaj që abuzonte me të miturën. Nga deklaratat e bëra nga 11-vjeçarja, fqinji i saj i rritur e merrte në shtëpi dhe e zhvishte, duke e ngacmuar seksualisht. Nga kontrollet e kryera nga ana e mjekëve rezulton se nxënësja e klasës së pestë është abuzuar në forma të ndryshme. Pas denoncimit, policia lokale e Pogradecit ka bërë të mundur arrestimin e Thanës. Ai ndodhej në shtëpinë e tij, kur uniformat blu kanë hyrë brenda dhe i kanë vënë prangat. Në fillim 25-vjeçari ka mohuar akuzat e bëra, por më pas, ai ka treguar se si ka abuzuar me të miturën, fqinje të tij. Sipas policisë, Thana ka përdorur mashtrimin për të tërhequr të miturën, atëherë vetëm dhjetë vjeç. Këtë gjë ai e ka bërë për gati një vit, derisa u arrit që të zbulohej dhe të vihej në pranga. 11-vjeçarja kërcënohej vazhdimisht nga Thana, për të mos treguar për veprimet e kryera nga ai. 25-vjeçari ka qenë i dënuar më parë për një vepër të tillë të ngjashme. Por duket se dënimi i dhënë nuk ka ndikuar tek ai aspak, duke bërë që me anë të mashtrimit të ngacmojë seksualisht një fëmijë vetëm 11 vjeç. Si është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës. Thana akuzohet për kryerjen e veprës penale “veprime të turpshme me të mitur”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›