Godo:Mjekët specializantë, kusht 5 vjet punë në rrethe
zirina llambro
Heqje licence dhe gjoba për të gjithë atë mjekë specialistë që nuk kthehen në vendin e origjinës. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, premton tolerancë zero për bluzat e bardha që kanë braktisur rrethet nga vijnë. Përpos kësaj, në 6 mujorin e dytë të 2009, sistemi shëndetësor pritet të ketë një tjetër rritje pagash. Këto deklarata Godo i bëri gjatë vizitave në disa prej spitaleve në jug të vendit gjatë fundjavës. “Çdo specialist do të punojë për 5 vjet në qytetin, i cili i ka siguruar këtë specializim ose në të kundërt do të penalizohet edhe financiarisht” - tha ajo, duke shtuar se nuk do të prishë asnjë kontratë të mjekëve specialistë. Sipas ministres, problematike mbetet mungesa e mbulimit me shërbim shëndetësor në rrethet e thella të vendit. “Jemi duke punuar për të gjetur një zgjidhje edhe për mungesën e specialistëve në këto zona”, tha Godo. Ajo theksoi se me rritjen e buxhetit, në 6 mujorin e dytë të vitit që vjen do të rriten sërish pagat në shëndetësi. “Kemi vërtet një buxhet të shtuar, por për shëndetësinë është e vështirë të jetë i mjaftueshëm. Kështu që duhet të jemi menaxhues të mirë të këtyre parave”, u shpreh ministrja. Gjithashtu ajo vuri theksin në problemet e aparaturave, duke i tërhequr vëmendjen e personelit shëndetësor në marrjen e masave për mirëmbajtjen e aparaturave. “Duhet të lidhen kontratat me firmat përkatëse që riparojnë dhe ndjekin aparaturat e duhen zbatuar me korrektësi”, nënvizoi Godo. Sa i përket reformës në spitale, ndryshe nga ish-ministri Nard Ndoka i cili kishte në plan mbylljen e një pjese të spitaleve rajonale, ministria pranoi të kundërtën. “Ne nuk do të mbyllim asnjë spital, por do të mundohemi të kthejmë shërbimet e tyre sa më të dobishme në ndihmë të qytetarit. Decentralizimi nga qendra në rajone, do të bëjë që çdo spital të jetë një menaxher i mirë për veten dhe të jetë ai, që të dijë e të përgjigjet për nevojat e tij”, deklaroi ajo. Zgjidhje për këtë problem madhor do të japë reforma që ka nisur të ndërmerret. “Hapi i parë i kësaj reforme është decentralizimi i mallrave të konsumit, medikamente dhe nevojat e tjera të përditshme. Spitalet duhet të vendosin vetë për prioritetet ndërsa Ministria e Shëndetësië do të vazhdojë të mbajë investimet e mëdha për çdo spital”, tha Godo. Sipas saj, reformë shëndetësore do të thotë që i njëjti shërbim të ketë të njëjtin kostifikim në çdo qendër shëndetësore. “Çdo shef shërbimi do paraqesë nevojat e tij në medikamente dhe çdo gjë tjetër pranë rajonit dhe do të jeni ju që do të përgjigjeni për mungesat në fund të vitit. Ne jemi këtu për të fuqizuar e jo për të cunguar shërbimet”, nënvizoi ministrja. Vitin që vjen të gjitha spitalet do të futen në skemën e sigurimeve shëndetësore. Ato do të funksionojnë si struktura autonome, duke menaxhuar vetë investimet dhe mbarëvajtjen e shërbimeve. Kjo reformë, është hallka kyçe në kthimin e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në financuesin e vetëm të gjithë sistemit