Historia e sozisë së Leninit vjen në janar
Historia e “sozisë” së Leninit u shfaq mbrëmjen e së dielës në kinema “Millenium”. Pas ndarjes së çmimeve të edicionit të gjashtë të Tirana International Film Festival, u shfaq premiera e filmit me regji të Saimir Kumbaros “Ne dhe Lenini”. Një komedi e zezë, e cila u shfaq vetëm për të ftuarit e natës së çmimeve, por për publikun e gjerë do të shfaqet në muajin janar. Për regjisorin Kumbaro, kjo nuk është premiera e “vërtetë”, pasi në janar ai do të ketë testimin e vërtetë me publikun. Megjithatë me sa u pa, përshtypjet e para nga filmi më i ri i Kumbaros ishin pozitive. Edhe këtë herë Kumbaro luan me ironinë dhe humorin therës, duke nxjerrë në pah shqetësimet e përditshme të njerëzve të thjeshtë. Në vitin 2006, Saimir Kumbaro fiton një projekt pranë Qendrës Kombëtare Kinematografike, me skenar të Ruzhdi Pulahës. Aso kohe ende nuk e kishte vendosur tamam titullin. Lëkundej mes “Ne dhe Lenini” dhe “Tavarish Lenin”. Të frymëzuar nga aktori Lazër Filipi, i cili një nga rolet më të spikatura ka pasur atë të Leninit, Pulaha dhe Kumbaro ngre një histori në një azile pleqsh. Atje ku jeton një “sozi” e Leninit. Teksa e shohin në televizor tek “Orët e Kremlinit” e më pas në mes të tyre, bashkëndarësit e strehës, nisin të besojnë se ai është Lenini i vërtetë. Nisin t’i kërkojnë “Leninit” t’u zgjidhë hallet. T’u sjellë një doktor, t’u rrisë pensionet, të mos lejojë që streha t’u kthehet pronarëve. Ata mendojnë se “burrit të shtetit”, kushdo mund t’i hapë dyert, por kjo nuk është e vërtetë. Askush nuk do t’ia dijë për atë të moshuar dhe miqtë e tij. Ky ansambël krijohet nga një kast aktorësh të zgjedhur, si Lazër Filipi, Mirush Kabashi, Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Elvira Diamanti, Mehdi Malko, Hajrie Rondo, Leon Çino, etj. Xhirimet janë zhvilluar një vit më parë mes Kavajës dhe Tiranës. “Ne dhe Lenini” është një prodhim shqiptaro–franko-maqedonas. Është financuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë me vlerën 300 mijë euro, ndërsa 130 mijë euro Saimir Kumbaro i përfitoi nga një aplikim pranë Fondit të Jugut (Francë).