E Diel, 1 Nëntor 2026

Besart Berisha premton një rikthim të bujshëm te Bërnlei

 

Besart Berisha shpreson që të mund të sigurojë një vend te skuadra e Bërnleit pas muajit janar. Ai ende nuk ka mundur të luajë në një ndeshje kampionati me ekipin e tij, pasi vitin e kaluar këputi ligamentet dhe e humbi të gjithë sezonin. Në një intervistë të dhënë për “Lancashire Telegraph”, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka pohuar se gjërat nuk i kanë shkuar siç shpresonte. “Bërnlei ka ecur mjaft mirë këtë sezon dhe jam i lumtur për ekipin tim – ka thënë Berisha. – Mezi po pres të luaj në kampionat. E di që do të jetë e vështirë për të fituar një vend titullari, por unë shpresoj që të mund të luaj sa më shumë. Një sulmues i ri ka nevojë për gola. Do të bëj të pamundurën që t’u tregoj drejtuesve dhe tifozëve të Bërnleit se çfarë jam në gjendje që të bëj”. Në merkaton e verës ai u transferua në formë huazimi te norvegjezët e Rozenborgut, ku shënoi dy gola, por në fund të muajit nëntor, kampionati norvegjez përfundoi dhe Berisha u detyrua që të rikthehej tek anglezët e Bërnleit. Në këtë skuadër ai mund të luajë vetëm pas datës 1 janar, kur fillon edhe merkato e dimrit, pasi atëherë mund të kalojë kartoni i tij në klubin anglez. “Këtë periudhë do ta shfrytëzoj për të qëndruar pranë familjes sime. Ata ndodhen në Berlin dhe do të shkoj atje për disa ditë. Kam shumë pak kohë të qëndroj me familjen”, është shprehur sulmuesi 23-vjeçar. 2 gola shënoi Besart Berisha gjatë kohës që ishte i huazuar te Rozenborgu. Sulmuesi shqiptar nuk mundi të aktivizohej rregullisht aty, pasi konkurrenca ishte shumë e madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›