Beqaj, kundër 70 mijë grekëve: S’ju kam frikë
Jetmir Halilaj
Grekët e dinë se Beqaj është një nga pikat më të forta të skuadrës së Anorthosis, ndaj tifozët e Panathinaiksoit do të bëjnë të pamundurën që sot në mbrëmje në stadiumin “Olimpik” ta çorientojnë atë. Megjithatë, portieri i Kombëtares shqiptare, ua ka thënë hapur helenëve se nuk është aspak i shqetësuar nga atmosfera që do të krijohet. I pyetur nga gazetarët grekë nëse ai dhe ekipi i tij ishin të shqetësuar për atmosferën e nxehtë që pritet të krijohet në ndeshjen e sotme në Athinë mes Panathinaikosit dhe Anorthosit, Beqaj ka thënë: “Nuk kemi aspak frikë nga ambienti që do të krijohet nesër (sot) në mbrëmje. Ne jemi profesionistë dhe do të luajmë si të tillë. Jemi mësuar tashmë edhe me presionin e stadiumeve të nxehta dhe nuk na ngjallin as frikë e as tension. Madje, po ju them se jemi shumë të qetë dhe do të luajmë për fitore”. Deklarata e gardianit kuqezi është komentuar gjatë në median helene dhe në disa raste është cilësuar si i tepruar vetëbesimi i Beqajt, për shkak se ai vjen pas një dëmtimi në këtë takim dhe sipas grekëve, mund të mos jetë në formë të mirë. Megjithatë, sikur të mos mjaftonte kjo, Beqaj e ka karikuar akoma më shumë ekipin e tij duke thënë: “Nuk kemi pse ta kemi frikë Panathinaikosin, pasi në ndeshjen e parë e mundëm (3-1). Sigurisht që i respektojmë kundërshtarët për atë që kanë bërë, por kjo nuk do të thotë se kemi ardhur këtu për të humbur. Madje, kam bindjen se presioni më i madh është ndaj Panathinaikosit, i cili ndonëse ka dy rezultate në dispozicion, nuk ndihet i sigurt. Skuadra jonë ka treguar qartë se kur dëshiron të mbërrijë diku, e bën një gjë të tillë, ndaj mendoj se duhet të jenë shumë të kujdesshëm ndaj nesh”. Arjan Beqaj pritet të jetë titullar në mbrëmjen e sotme, pasi tashmë i ka kaluar problemet fizike, që e mbajtën jashtë fushave të lojës më shumë se një muaj e gjysmë. Ai e ka cilësuar takimin e sotëm si ndeshjen e jetës për të gjithë lojtarët e Anorthosis, pasi do të hynë në histori nëse arrijnë të kualifikohen. “Kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës dhe do të bëjmë të pamundurën për ta fituar”, ka shtuar Beqaj. I ngacmuar sërish nëse Anorthosis i ka mundësitë për të përballuar presionin e një stadiumi si “Olimpiku” i Athinës, Beqaj është përgjigjur me ironi: “Ne nuk jemi partizanë dhe nuk po shkojmë në luftë. Jemi një skuadër kompakte, që do të përpiqet të fitojë një ndeshje të vështirë, por jo të pamundur”.