E Diel, 1 Nëntor 2026

Gogu: Trajtimi financiar për ushqimin i punonjësve të Policisë së Burgjeve, prioritet

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se, trajtimi financiar ushqimor për punonjësit e Policisë së Burgjeve është ndër prioritetet e institucionit që ai drejton, duke theksuar se po zhvillohen diskutime me ministrinë e Financave për ta bërë të mundur këtë sa më shpejt që hapësirat buxhetore ta lejojnë.

Në një konferencë me gazetarët, i pyetur rreth shqetësimit të efektivëve të Policisë së Burgjeve, të cilët prej vitesh kërkojnë të përfitojnë trajtim financiar për ushqimin, njësoj si punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura, Gogu u shpreh se çështja është në vëmendjen e Qeverisë.

“Dua t’ju siguroj se kjo është ndër prioritetet e mia dhe është në diskutimet e qeverisë shqiptare, në mënyrë që trajtimi i tyre të jetë i njëjtë. Baza ligjore ekziston dhe ne jemi duke e vlerësuar këtë çështje së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Gjithashtu jam në bisedime intensive me ministrinë e Financave që, në momentin e parë kur buxheti të krijojë hapësirën e nevojshme, të rrisim trajtimin financiar të punonjësve të Policisë së Burgjeve”, tha ai.

Gogu vlerësoi punën e efektivëve të Policisë së Burgjeve, duke theksuar se ata kryejnë një shërbim të rëndësishëm në kushte të vështira dhe larg vëmendjes së publikut.

“Vlerësoj pa fund punën që ata bëjnë larg kamerave, larg vëmendjes së publikut, me profesionalizëm dhe integritet, një punë që meriton vlerësimin e gjithë shoqërisë shqiptare”, u shpreh Gogu.

Gjithashtu, ministri i Drejtësisë u pyet edhe në lidhje me regjimin 41 bis të burgjeve dhe funksionimin e këtij sistemi në kushtet kur vazhdimisht raportohen raste të gjetjes së telefonave celularë te persona me rrezikshmëri të lartë.

Gogu u shpreh se popullimi i regjimit “41-bis” bëhet vetëm me kërkesë të prokurorisë dhe vendim të gjykatës.

“Popullimi i regjimit 41-bis, që është një regjim i posaçëm për personat e përfshirë në krimin e organizuar dhe vepra të rënda penale, është kompetencë e prokurorisë dhe e gjykatës, të cilat mund të kërkojnë vendosjen e këtyre personave në këtë regjim, pasi u kufizohet liria në mënyrë edhe më të rreptë. Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve janë këtu për të garantuar funksionimin dhe sigurinë e këtyre institucioneve”, tha Gogu.

Ministri Gogu theksoi se një nga sfidat kryesore mbetet forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke nënvizuar mbështetjen e ministrisë së Drejtësisë për institucionet e drejtësisë.

“Besoj se ministria e Drejtësisë ka detyrën e parë dhe të fundit, sa i përket kësaj çështjeje, që të krijojë kushtet që SPAK-u të ushtrojë detyrën e vet dhe të vazhdojë ta ushtrojë me profesionalizëm, në mënyrë që të kemi një luftë efektive dhe një proces të pakthyeshëm në goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh Gogu.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›