Skema Kombëtare, mbi 21 mijë aplikime të kualifikuara për mbështetjen në blegtori dhe bletari

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka publikuar listat e aplikimeve të kualifikuara për masat mbështetëse në blegtori dhe bletari, në kuadër të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026.
Sipas AZHBR-së, për masat 1-4 janë kualifikuar gjithsej 21 179 aplikime, të cilat përfitojnë mbështetje për zhvillimin e tufave të matrikulluara, bletarisë dhe mbarështimit të derrave.
Për Masën 1, “Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), lopë dhe/ose mëshqerra”, janë kualifikuar 6 661 aplikime.
Për Masën 2, “Për tufën bazë të matrikulluar të krerëve të të imtave”, janë kualifikuar 7 234 aplikime, ndërsa për Masën 3, “Për mbarështimin e bletarisë”, janë kualifikuar 7 015 aplikime.
Ndërkohë, për Masën 4, “Për mbarështimin e dosave/paradosave”, janë kualifikuar 269 aplikime.
AZHBR u bën thirrje fermerëve aplikues që të verifikojnë statusin e tyre dhe, në rastet kur kërkohet dokumentacion shtesë, ta dorëzojnë pranë Agropikave brenda 20 ditëve kalendarike nga publikimi i listave.
Mosplotësimi i kritereve të përfitueshmërisë dhe mosdorëzimi i dokumenteve të kërkuara brenda afatit të përcaktuar përbën kriter skualifikimi, thekson AZHBR.

/e.xh/j.p/