Gol i video-lojërave

Selektori i Suedisë, Erik Hamren, e krahasoi golin e mrekullueshëm me gërshërë nga sulmuesi Zlatan Ibrahimovic kundër Anglisë si një “shënim nga video-lojërat”.
Ylli i Paris Saint-Germain realizoi të katër golat e Suedisë në fitoren 4-2 ndaj Anglisë, por i katërti ishte vërtet i veçantë pasi ai kërceu dhe në mënyrë akrobatike mposhti portierin Joe Hart – i cili kishte dalë nga porta – nga një distancë prej mbi 25 metrash.
“Nuk e di nëse do të shihni një shënim të tillë sërish në jetën tuaj”, deklaroi Hamren. “Nganjëherë, kur ai i bën këto gjëra në stërvitje ose ndeshje, ju nuk mendoni se është e mundur. Sepse nuk është e mundur të bëni diçka të tillë, goli i katërt, për shembull”, shtoi ai.
Ibrahimovic me paraqitjen e mahnitshme kundër Anglisë mund të ketë heshtur skeptikët, kryesisht anglezë, të cilët dhanë mendime të ndara gjatë gjithë karrierës së tij. Në shtete tjera të Evropës, Ibrahimovic lavdërohej për talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe suksesin e madh që pati në skuadrat si Ajax, Juventus, Inter, Barcelona dhe Milan.
Por, në Angli nganjëherë ai është përshkruar si futbollist, i cili nuk shfaqet në rastet e veçanta. Pas katër golave të tij kundër Anglisë në Solna, Ibrahimovic komentoi reputacionin e tij duke thënë: “Kështu shkojnë gjërat në Angli. Nëse shënoni kundër tyre, jeni futbollist i mirë, kurse nëse nuk shënoni, nuk jeni i mirë. Më kujtohet Lionel Messi para finales në Ligën e Kampionëve 2009. Ai shënoi kundër Manchester Unitedit dhe përnjëherë u bë futbollisti më i mirë në botë. Ndoshta tani do të thonë diçka të tillë edhe për mua. Hart doli nga porta e tij dhe thjesht kërceva duke u munduar të shënoja. Unë isha në tokë kur topi ishte duke hyrë brenda. Pash një mbrojtës duke u munduar ta largojë topin dhe desha të bërtas ‘Jo’, por topi përfundoi në portë”, theksoi ai.
Një shembull për vetëbesimin e madh të Ibrahimovicit erdhi në prag të duelit. Kur ai u pyet të vlerësojë karrierën e tij ndërkombëtare para paraqitjes së 100-të, kapiteni i Anglisë, Steven Gerrard u përgjigj: “Gjashtë ose shtatë”.
Kurse Ibrahimovic u përgjigj pa hezitim: “Dhjetë”. Selektori i Anglisë, Roy Hodgson, lavdëroi golin e mahnitshëm të Ibrahimovicit. “Goli i katërt ishte kurorëzim i paraqitjes së shkëlqyeshme. Ishte gol i mrekullueshëm, edhe pse do të dëshiroja ta kisha parë duke u shënuar kundër dikujt tjetër”, deklaroi Hodgson.