E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk i pëlqen krahasimi me Ibrën

Kosovare Asllani ka filluar të dashurohet me Parisin, dy muaj pasi u transferua në Paris Saint Germain. Futbollistja kosovare po e shijon eksperiencën në Francë, ku synon të arrijë suksese me PSG-në. Ajo e pranon se futbolli suedez dhe ai amerikan janë përpara atij francez, derisa thotë se është lodhur nga krahasimet që ia bëjnë me Zlatan Ibrahimovicin.

Kosovare Asllani është dashuruar me Parisin, dy muaj pasi u transferua në Paris Saint Germain. Futbollistja kosovare është ambientuar mjaft mirë në kryeqytetin francez, ndërsa me ekipin e saj të ri synon të fitojë trofe të çmueshëm.

“E dua Parisin. Ndihem mirë në këtë qytet, edhe pse kanë kaluar vetëm dy muaj prej se kam ardhur. Nuk ndihem ende sikur në shtëpi, por kjo ndjenjë nuk do të zgjasë shumë. Kam ardhur këtu për të fituar trofe”, ka thënë fillimisht 23 vjeçarja.

Ajo e pranon se gjuha është problemi kryesor me të cilin është përballur deri tash. Kosovarja po ashtu tregon se në Suedi është mësuar duke bërë shaka me bashkëlojtare dhe të flasë shumë me to, ndërsa në Francë gjërat janë më të komplikuara. Përfaqësuesja suedeze e ka bërë një krahasim në mes të futbollit francez, atij suedez dhe amerikan, pasi luajti në këto tri kampionate deri tash.

“Këtu luhet futboll më teknik se kudo tjetër. Mirëpo, në Suedi dhe SHBA niveli i ekipeve është më i lartë. Këtu mund të fitosh me 6-7 gola avantazh në ndeshjet si mysafir. Kjo duket zbavitëse, por unë do të preferoja të luaja ndaj një ekipi të fortë si Lyoni çdo javë. Jam mësuar të luaj ndaj ekipeve të mira çdo javë”, vazhdoi ajo.

Ajo beson se me përkrahjen e të gjithëve, futbolli francez i femrave mund të zhvillohet dhe do të bëhen më shumë ekipe të forta si Lyoni e PSG. Asllani përmend faktin se në Suedi e njohin më shumë, pasi që media i kushton më shumë rëndësi. Madje, ajo thotë se as bashkëlojtaret e saj të reja nuk e dinë se kush ishte para se të arrinte në Paris.

Ndërkaq, ajo e pranon se është lodhur me krahasimet që ia bëjnë me yllin suedez Zlatan Ibrahimovic. “Gazetarët ma bëjnë pyetjen e njëjtë që kur kam ardhur në Francë. Mirëpo, mendoj se ne jemi lojtarë të ndryshëm, nuk i kemi të gjitha kualitetet e njëjta. Kam filluar të lodhem me këtë krahasim”, vijoi Asllani.

Të shtunën, PSG do të luajë ndaj ekipit më të fortë francez, Lyon. Futbollistja kosovare shpreson që ekipi nga kryeqyteti francez të dalë mirë nga ky takim, edhe pse e pranon se ekipi i ri parisien do ta ketë të vështirë, pasi që kundërshtaret luajnë së bashku që 5 vjet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›