Gol nga goditja e lirë, profesion shqiptarësh
Dash Frashëri
Gjermania duket vendi ideal për shqiptarët. Goli nga goditja e lirë po shndërrohet në një rit. Pas supergolit të Ervin Skelës në fitoren 2-1 kundër Hertës së Berlinit të fundjavën e kaluar (Skela shënoi edhe dje kundër Duisburgut), edhe veterani 36-vjeçar, shqiptari Fatmir Vata, realizoi një gol direkt nga goditja standarde. Ish-shoku i skuadrës i Ervin Skelës të Arminia e Bielefeldit, realizoi në barazimin e skuadrës së tij Tus Koblenz kundër Kickers Offenbah (1-1) në takimin e vlefshëm për javën e 27-të të Bundesligës 2. Një goditje mjeshtërore nga 20 metra në trekëndëshin e djathtë të portës. Goli i dytë sezonal i ish-lojtarit të Kombëtares shqiptare ( i 27-ti në Bundesliga 2) dhe më të njëjtin art realizimi: goditjen e lirë perfekte.
Vata rrëfehet për versionin online të gazetës popullore gjermane “Bild”, bild.de. “Mario më tha sot (të premten) para ndeshjes, që unë do të shënoja. Ai pati besim te mua. Për këtë do të dëshiroja ta falënderoja atë”, - thotë i kënaqur Vata, në lidhje me parashikimin e bashkëtrajnerit të Tus Koblenz, Mario Baslerit. Por, si shpjegohet magjia Vatës. Strategjia është e thjeshtë. 17 vite përvojë në futbollin profesionist në nivele të larta, por edhe perfeksion përmes seancave speciale stërvitore. “Por sa pjesë ka ‘Super-Mario’ në ëndrrën e Vatës për të ekzekutuar goditjet e lira?”, - shkruan bild.de. “As edhe një për qind”, - thotë Mario Basler, ish-lojtar i Bajernit të Munihut (2 herë kampion), por dhe i kombëtares gjermane (30 ndeshje) dhe 1 herë kampion i Europës (1996). “Gjatë stërvitjeve i kam në plan goditjet e lira dhe u jap lojtarëve gjithmonë këshilla, se si ata ta bëjnë më mirë ato. Jo më shumë. Por, Fatmiri e ka bërë shumë mirë (super gemacht)”. Megjithatë, më pak euforik tregohet trajneri 49-vjeçar Uve Rapolder, një mik i deklaruar i futbollistëve shqiptarë, kur te Arminia pati tre të tillë: Fatmir Vatën, Ervin Skelën dhe Klodian Duron. “Fatmiri gjatë këtij sezoni ka shënuar dy gola. Dhe të dyja më goditje të lira. Për shijen time pjesa e shënimit të golave nga goditjet e lira është e lartë”. Vata, i cili mbush më 20 shtator, 37 vjeç, nuk pranon kurrë se është në prag të “pensionit”. Për ish-lojtarin e Bundesligës 1 (88 ndeshje, 8 gola) ende nuk janë konsumuar takat e këpucëve për t’i varur në gozhdë. Fatmiri shpreson se në shtatë ndeshjet e mbetura ka ende minuta për një tjetër gol, për të mos e mbyllur aventurën gjermane në ligat profesioniste me vetëm 35 gola.
Bylykbashi show - Elbasanasi Dorian Bylykbashi ka shënuar gol për fitoren e skuadrës së tij Kryvbas, në transfertën e Zorya në kampionatin ukrainas. Skuadra ku aktivizohet treshja shqiptare Hidi-Bulku-Bylykbashi ka shënuar fitore me rezultatin 2-1. Që të tre shqiptarët janë aktivizuar si titullarë në këtë ndeshje dhe kanë luajtur që të tre për 90 minuta. Goli i ndeshjes ka ardhur nga Bylykbashi në minutën e 19-të të ndeshjes, ndërsa vendasit kanë barazuar në minutën e 28-të me anë të penalltisë. Në pjesën e dytë Bartuloviç ka shënuar për 2-1. Në këtë ndeshje Ervin Bulku është ndëshkuar me karton të verdhë. Kryvbas aktualisht renditet në vendin e 10-të të kampionatit ukrainas me 27 pikë të fituara në 24 ndeshje.
Golin e tij të 50-të, Skela e shënon symbyllyr
“Unë sapo i kisha mbyllur sytë”, - thotë Ervin Skela, i cili shënoi golin e tij të parë me kokë gjatë gjithë karrierës së tij në Bundesliga 1. Fantazisti me golin e tij kundër Duisburgut, jo vetëm i dha tri pikë të “rënda” Energi Kotbusit në luftën për ekzistencë. “Kjo ishte një fitore me vlerë gjashtë pikësh”, - tha trajneri Kotbusit, slloveni Bojan Prasnikar, pas ndeshjes të vendosur qysh në minutën e 4-t me golin e Skelës. “Normalisht u stopova topin me gjoks, pasi pata frikë, se mos ma çonte kokën mënjanë, e pastaj e godita”, - thotë shqiptari 31-vjeçar, i cili pasi u ndërfut në zonë si një “njeri i padukshëm”, shënoi pasi krosimi të Denis Sorensenit. “Duket se gjithçka po shkon lehtësisht për ne. Kështu që edhe unë bëra një gol me kokë”, - tha Skela për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA. Fantazisti shqiptar shënoi të dy golat në fitoren 2-1 kundër Hertës së Berlinit, por goli me kokë në fitoren e dytë rresht ishte i pari i gjashti sezonal (5 asiste). “Lojtari special” i skuadrës që ka për tifoze VIP, kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, është vetëm 173 centimetra. “Jemi duke e shijuar gjatë këtë moment, është krejt e natyrshme. Jemi të lumtur”, - thotë Skela, i cili është i vetëdijshëm, që edhe me një fitore tjetër Energi mund të hedhë një hap të madh për mbijetesën. “Ne bëjmë çdo fitore bëjmë një hap përpara, por neve na nevojiten edhe disa hapa të tjerë”, - thotë trajneri Prasnikar, duke menduar për sfidën e radhës për mbijetesë, atë kundër Arminian e Bielfeldit, një ish-ekip i Ervin Skelës. I habitur nga goli i Skelës mbeti edhe trajneri Rudi Bomer. “Goli 0-1 nuk duhej të ndodhte, krosimi nuk duhet të ndodhet, dhe një Skela që godet kaq lirë me kokë, nuk duhet të ndodhte”, -ankohet tekniku i Duisburgut. Gjithçka lindi kur lojtari i Duisburgut, Pablo Cacers e lejoi danezin Sorensen të krosonte, ndërkohë që mbrojtësi Mikael Lamej nuk e pa “fluturimin e fshehtë” të Skelës pas shpinës së tij, për të shënuar edhe golin e tij të 18-të në Bundesliga 1 (130 ndeshje) dhe të 50-in në Gjermani, duke llogaritur edhe 32 golat e tij në Bundesliga 2 (127 ndeshje).
Semina fiton, Malindi humbet
Ish-sulmuesi i Partizanit, Enco Malindi, tashmë në forcë me Slavian e Sofjes luajti për 90 minuta në derbin e humbur 2-0 me CSKA-në, që realizoi dy herë në pjesën e parë: Petre (17’), Tinev (39’). Sulmuesi i kombëtares shqiptare U-21 pati një rast të mirë shënimi në qysh në minutën e parë, për të humbur mos shfrytëzuar një tjetër në të 31’ e 44’. Edhe mbrojtësi shkodran Klodian Semina ishte pjesë e fitores 1-0 së Belasicës kundër Vidima-Rak. Ish-lojtari i Vllaznisë e Adës luajti gjatë gjithë takimit.
Lika drynin CSKA së Moskës
Një Ilion Lika i sigurt në portë i ka dhënë një fitore historike skuadrën çeçene Grozni Terek kundër një prej skuadrave më të madhe ruse, CSKA-së së Moskës. Grozni fitoi 1-0 me golin e realizuar në minutën e 65-të nga Kizmiçev. Portieri i kombëtares, sipas asaj që raporton uebsajti gazeta.ru, bëri një nga paraqitjet e tij më të mira me skuadrën e tij të parë të huaj, duke rënë në syrin e menaxherëve moskovitë. Terek në katër ndeshje ka arritur dy fitore dhe dy humbje, duke grumbulluar gjashtë pikë. Rubin me pikë të plota (12) kryeson kampionatin rus.
7 Prill 2008