Krizë te kryesuesit, ngjitet Tirana
Dinamo e Partizani hodhën nga një tjetër hap të gabuar shtatë javë para përfundimit të sezonit, duke humbur në transfertë respektivisht me Kastriotin (1-0) dhe Flamurtarin (3-0) në javën e 26-të Kategorisë Superiore. Tirana me formalitetin kundër Skënderbeut (4-0), u ngjit në vendin e tretë, duke lënë pas Elbasani, Vllazninë e Besën.
KRIZA ME TE VEGJLIT
Dinamo konsiderohej për pjesën më të madhe të këtij sezoni si skuadra më rezultative në transfertë (11 ndeshje pa humbje), por qysh nga humbja me Partizanin në javën e 20-të, trajneri zëvendësues Ilir Daja ka pësuar edhe dy të tjera, duke e çuar në total në katër të tilla në 26 javë.
Edhe pse kryeson me dy pikë diferencë me Partizanin, Dinamo çuditërisht ka humbur dy nga katër ndeshjet e fazës së tretë. Po të shikosh se ndaj kujt ekipeve ka humbur lideri i kampionatit, atëherë punët në shtëpinë “blu” qartësisht nuk shkojnë mirë.
Humbja me Besëlidhjen (1-0, java 24) u pasua nga një tjetër me Kastriotin (1-0, java 26). Edhe takimin kundër Teutës (2-1) formacionin i presidentit Besnik Sulaj e fitoi falë një penalltie në minutën e 94-t. Për t’u rikthyer te takimi i Kastrioti-Dinamo i zhvilluar në Laç, skuadra krutane e drejtuar nga Ramazan Ndreu, realizoi një tjetër performancë produktive, kur pas barazimit në Tiranë me Partizanin (0-0, mund ta kishte fituar), rrëmbeu me meritë tri pikë të rënda ndaj Dinamos (1-0), që ende ruan vendin e parë për numrin më të vogël të golave të pësuar.
Golin e vetëm të takimit e realizoi ish-sulmuesi i Partizanit, Erion Rizvanolli (71’, goli i tij i gjashtë ), ndërkohë që Erald Turdiu mund ta kishte dyfishuar rezultatin në minutën e fundit, por u ndal nga portieri zëvendësues Hoxha, i cili hyri në lojë në vend të Kotorit të dëmtuar. Kastrioti u ngjit në vendin e nëntë (27 pikë) duke këmbyer vendet me Besëlidhjen (humbi 2-0 me Teutën në Durrës). Kjo ishte dhe fitorja e 5-të historike e Kastriotit në 15 ndeshje kundër Dinamos (9 fitore). Javën e ardhshme krutanët do të luajnë në transfertë kundër Besëlidhjes, në sfidën e madhe për mbijetesë, ndërsa Dinamo (në presion) do të presë në kryeqytet një Flamurtar euforik pas “hat-trick”-ut të realizuar kundër Partizanit.
Trullosje “demash”, mbyten në Vlorë
Partizani nuk është mirë. Pas paraqitjes së varfër ndaj Kastriotit (0-0) në kryeqyetet, të kuqtë e Likës bënë një paraqitje të shëmtuar në Vlorë ku humbën thellësisht me Flamurtarin, me tre gola të pësuar në fraksionin e dytë të lojës, duke kujtuar nga sfida me skuadrën e kroatit Slavko Kovaçiç vetëm shtyllën e goditur nga Elis Bakaj dhe pafuqinë e Dhembit për ta shtyrë në rrjetë. Përballja me ekipin e Vlorës është shndërruar në një “makth” të vërtetë për të kuqtë, të cilët nuk kanë arritur që të fitojnë asnjë përballje gjatë këtij sezoni. Pas përpjekjeve të tyre të shumta të vlonjato-kroatëve për të gjetur golin, avantazhi kë ardhur në minutën e 59’ të takimit me anë të shkodrani Nevian Cani. Të kuqtë përpiqen të reagojnë por pa rezultat. Vendasit janë më kërkues dhe të ndikuar ehde nag tifozeria vlonjate nuk reshtin së rrezikuari. Goli i dytë i takimit vjen në mintuën e 81-të me anë korçarit Denis Memës. Kuqezinjtë kërkojnë të shënojnë sërish dhe ai arrijnë më anë të Bledian Gugës në të 88’. Flamurtari arriti një fitore të rëndësishme duke shkuar në kuotën e 35 pikëve.
Shpërthen Shkumbini, Sinani nuk mjafton
Shkumbini ia ka dalë sërish të mposhtë Vllazninë duke i dhënë gjithashtu Haxhiosmanoviçit humbjen e parë për këtë sezon. Peqinasit kanë zhvilluar një lojë të bukur, duke shënuar tre herë në portën kundërshtare dhe duke marrë tre pikë me vlerë. Goli i parë i takimit ka ardhur në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë me anë të Klevis Dalipit. Në pjesën e dytë janë shkodranët që sulmojnë. Kuqeblutë arrijnë të gjejnë golin me anë të Sinanit në minutën e 53-të. Tetë minuta më vonë skuadra e Maganit rimerr avantazhin sërish me anë të Dalipit. Arlind Nora e çoi në 3-1 rezultatin. Vllaznia kundërpërgjigjet sërish me një gol të Sinanit në minutën e 89-të. Sulmuesi u ngjit në kuotën e 19 golave, katër më shumë se Pejiç që vazhdon thatësirën.
Hyka – Duro, shoë për poker
Tirana arrin një fitore tenistike ndaj Skënderbeut 4-0. Djemtë e Sul Memës nuk kanë falur ekipin e fundit në tabelë, duke marrë maksimumin në këtë ndeshje. Pjesa e parë ishte e barabartë mes dy ekipeve. Me fillimin e pjesës së dyte, bardheblutë e gjejnë menjëherë golin me anë të mesfushorit Arapi, i cili zhvilloi një takim shumë të mirë. Futja në lojë e tij i dha më shumë lëvizshmëri aksioneve sulmuese të Tiranës dhe për pasojë rrjedha e lojës ndryshoi totalisht. Tirana shton presionin në portën e korçarëve dhe për pasojë vjen edhe goli i dytë. Pas një krosimi të Duros është aty mbrojtësi Lek Kçira, i cili ndodhet i zbuluar në zonë dhe godet me kokë duke dyfishuar rezultatin. Ekipi i Tiranës nuk kënaqet dhe sulmon përsëri, ndërsa kemi në fushë një Skënderbe të pafuqishëm me sulme sporadike me anë të sulmuesit Shtupina. Ekipi iTiranës gjen shumë shpejt edhe golin e dytë me anë të Duros që pasi merr një top nga fundorja nga Hyka, godet fluturimthi dhe portieri Llapanji nuk arrin që ta ndalojë “predhën” e Elbasanasit. Edhe goli i dytë vjen në të njëjtin pozicion, shërben Hyka dhe Duro rigjen trekëndëshin e portës korçare.
KATEGORIA SUPERIORE
Java 26
5 prill 2008
Kastrioti-Dinamo 1-0
Flamurtari-Partizani 3-0
Shkumbini-Vllaznia 3-2
Elbasani-Besa 3-1
Tirana-Skënderbeu 4-0
Teuta-Besëlidhja 2-0
RENDITJA
1.Dinamo 51
2.Partizani 49
3.Tirana 43
4.Elbasani 42
5.Vllaznia 41
6.Besa 41
7.Shkumbini 37
8.Flamurtari 35
9.Kastrioti 27
10.Besëlidhja 26
11.Teuta 23
12.Skënderbeu 11
7 Prill 2008