E Diel, 1 Nëntor 2026

Rifillojnë disa fluturime, por vazhdon kaosi

Shkencëtarët paralajmërojnë fillimin e erupsionit të disa vullkaneve të tjerë

Shumë fluturime në aeroportet europiane kanë rifilluar dje për herë të parë pas pesë ditësh ndërprerjeje, për shkak të resë së hirit që mbuloi një pjesë të mirë të qiejve në Europë. Megjithatë për sa i përket kaosit të shkaktuar nga udhëtimi, ai vazhdon që të jetë i madh. Aeroportet e Londrës kanë vazhduar të qëndrojnë të mbyllur dhe sipas shkencëtarëve, ndoshta historia mund të përsëritet sërish me erupsionin e ndonjë vullkani tjetër në Islandë. Aeroporti londinez i Hithros, që është më i zëni në Europë, nuk do të funksionojë deri të mërkurën dhe sipas parashikimeve, ndoshta problemet do të vazhdojnë me hirin. Megjithatë, edhe pse ka pasur shumë pak fluturime, të gjithë pasagjerëve dhe kuptohet kompanive të fluturimit, u është ndezur shpresa. Qeshje dhe duartrokitje janë dëgjuar në të gjithë terminalin kur avioni i parë u nis pas kaq ditësh për në lartësitë e qiellit nga aeroporti parisian “çarles de Gol”, nga aeroporti i Amsterdamit dhe nga disa aeroporte të tjera. Hapësira ajrore gjermane ka vazhduar që të jetë e mbyllur dhe 800 avionët që ndodhen në tokë nuk janë lejuar që të fluturojnë.

Agjencia Europiane e Kontrollit të Trafikut Ajror në Bruksel bëri të ditur dje se ishte në pritje të rifillimit të fluturimeve të një numri të madh avionësh në hapësirat ajrore të shteteve të ndryshme, porse shpresonte që gjatë javës, situata të përmirësohej dhe të rifillonin punë të gjitha kompanitë me kapacitet të plotë. Sipas parashikimeve të agjencisë, deri të premten, situata mund të jetë ndrequr plotësisht. Gjatë kësaj jave, ndërkohë mbeten të ndërprera në tërësi 95 mijë fluturime. Problemi më i madh nuk janë pasagjerët që kanë prenotuar fluturimet, por ata që kanë mbetur nëpër aeroporte që prej disa ditësh. Disave prej tyre u është ofruar një transport alternativ, ndërsa të tjerë kanë preferuar që të presin deri në rifillimin e fluturimeve, sigurisht bëhet fjalë për udhëtarët që kanë pasur për të kryer fluturime transoqeanike.

Për sa i përket aktivitetit sizmik të vullkanit, ai është shtuar shumë edhe këto ditë, vetëm se drejtimi i erës ka qenë i kundërt me atë të ditëve të para dhe retë e hirit nuk kanë qenë aq shqetësuese. Shkencëtarët vazhdojnë që të jenë të shqetësuar për shkak të vazhdimit të veprimtarisë së vullkanit, por edhe vullkaneve të tjerë që mund të jenë në prag të erupsionit. Bëhet fjalë kryesisht për një vullkan në afërsi të një mali tjetër me dëborë, që ka një cikël erupsioni një herë në 80 vjet. Hera e fundit ka qenë në vitin 1918, pra i takon që ai të shpërthejë sërish së afërmi. Nëse një gjë e tillë do të ndodhte, atëherë pasojat mund të jenë të njëjta me ato të vullkanit tashmë të aktivizuar dhe, në këtë rast, do të vijonin ndërprerjet e çrregullimeve të trafikut ajror në të gjithë kontinentin. E ndërsa disa avionë kanë rinisur fluturimet, një grup pilotësh ndërkombëtarë kanë paralajmëruar që situata është ende e rrezikshme dhe se një problem me hirin në qiell do të ishte fatal për avionët dhe pasagjerët që ndodhen në to.

Shpërthimi vullkanik ka hyrë në një fazë të re, duke prodhuar më shumë llavë sesa pluhur dhe hi. Shkencëtarët thonë se ky vullkan është shumë aktiv dhe mund të shkaktojë shpërthimin e një vullkani tjetër pranë tij. Këtë paralajmërim e përcolli edhe Presidenti i Islandës, Olafur Grimsson, duke iu referuar vullkanit Katla, që rrezikon të shpërthejë. “Ajo që kemi parë deri tani, në fakt, është një provë e vogël e asaj që mund të ndodhë. Unë nuk shtroj pyetjen se a do të shpërthejë Katla, por kur do të shpërthejë. Prandaj mendoj se është koha që qeveritë europiane dhe autoritetet e transportit ajror kudo në botë të fillojnë të bëjnë plane për t'i paraprirë shpërthimit të mundshëm të vullkanit Katla”, tha Presidenti i Islandës, Olafur Grimsson.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›