Kontrolle farmacive të Nënë Terezës
Farmacitë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” nuk do të jenë vetëm nën vëzhgimin e inspektorëve të administratës, por edhe më lart. Inspektorët, të cilët kontrollojnë dhe monitorojnë situatën e ilaçeve në të gjithë vendin, përkatësisht punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë, nga sot do të nisin kontrollet edhe në farmacitë e vogla që ka secili pavijon në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, si dhe në farmacinë e madhe të barnave që shpërndan medikamente për të gjitha repartet.
Iniciativa e kontrolleve është marrë nga ministria, në kuadër të intensifikimit të monitorimit të zbatimit të urdhrit, si për recetat ashtu edhe për barnat që disponon, menaxhon e shpërndan secili shërbim spitalor.
Kontrolle të tjera, të pavarura dhe jo ndërsektoriale ushtrohen herë pas here edhe nga qendra spitalore. Sipas administratës së QSUT-së, pas largimit nga puna të disa punonjësve të cilët abuzuan me detyrën, si dhe marrjes së masave për shkak të parregullsive në vendin e punës, kontrollet janë të nevojshme dhe të domosdoshme. Menjëherë pas furnizimit të shërbimit të onkologjikut me barnat e munguara është menduar që kontrollet të jenë të pavarura nga ana e strukturave të ndryshme shëndetësore.
Sakaq, kontrollet do të jenë edhe për zbatimin e urdhrit për nënshkrimin e recetave. “Në raste të domosdoshme të sugjerimit për blerje të medikamenteve që nuk janë pjesë e listës së barnave të aprovuara për përdorim spitalor, për personat e shtruar në spital, ndalohet lëshimi i recetës për të blerë medikamente në rrjetin e hapur farmaceutik, pa firmën e shefit të shërbimit”, thuhet në urdhër. Sipas kërkesës, receta do të lëshohet duke përshkruar principin aktiv të medikamentit. Për personelin mjekësor ndalohet orientimi drejt farmacive të selektuara, për blerje të medikamenteve.
#