Goli me dorë, FIFA nis hetim për Tieri Henri
FIFA ka bërë të ditur në mënyrë zyrtare se ka nisur një hetim për Tieri Henri, për golin që Franca shënoi kundër Irlandës në ndeshjen e 18 nëntorit. Pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të zhvilluar në Kejp Taun të Afrikës së Jugut, presidenti Sep Blater vendimet kryesore që lidhen pikërisht me hetimin ndaj sulmuesit francez dhe numrin e arbitrave në Botërorin e vitit 2010. “Eksperimenti me arbitrat i nisur në Europa League do të vazhdojë, por në kampionatin botëror numri i tyre nuk do të ndryshojë, - deklaroi Blater. – Do të kemi sërish një gjyqtar kryesor, dy anësorë dhe një të katërt, ndërsa teknologjia nuk do të përdoret”, u shpreh më tej ai. Në lidhje me hetimin e nisur nga Komisioni Disiplinor, Blater u shpreh se do të shqyrtohen incidentet në ndeshjen mes Algjerisë dhe Egjiptit, si edhe sjellja e Tieri Henri pas golit kundër Irlandës. “Kemi nisur tashmë një hetim për këto dy raste, - deklaroi Blater. – Unë fola 3 ditë më parë me Henri dhe i thashë se e kuptoja situatën e tij. Unë kam qenë sulmues me numrin 9 dhe i kam përdorur duart, jo për të goditur topin, por për të shtyrë kundërshtarët. Çdo sulmues ka synim të shënojë gol, ky është futbolli”, u shpreh numri 1 i FIFA-s. Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, ishte lufta kundër trukimit të ndeshjeve. Blater deklaroi se FIFA tani e tutje do të bashkëpunojë me Interpolin për parandalimin e këtij fenomeni.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)