Kaluan 156 kg drogë, pranga katër grekëve, rumunes dhe francezit
Katër shtetas grekë, një rumune dhe një francez, që u arrestuan nga EIP në bashkëpunim me sektorin e policisë antidrogë të Atikës, pranë kufirit me Shqipërinë, pasi u kapën me një sasi lënde narkotike që e trafikonin përmes vendit tonë, dolën dje për masë sigurie përpara togave të zeza të Atikës. Lajmi konfirmohet nga Radio Igumenica, e cila duke cituar burime zyrtare policore të vendit fqinjë, thotë se iu ka shpëtuar prangave një shqiptar, i cili është shpallur në kërkim, pasi ishte pjesë e bandës që trafikonte armë dhe drogë drejt Greqisë. Trafiku i drogës, por dhe i armëve, bëhej fare hapur nga të arrestuarit, pasi ata kishin përfituar nga mungesa e vigjilencës së policisë shqiptare dhe asaj greke. Mediat e shtetit fqinjë raportojnë se të shtunën u vunë në pranga katër shtetas grekë, një 40-vjeçar me dy djemtë e tij, përkatësisht 20 dhe 23 vjeç, si dhe një vajzë 19-vjeçare, një francez 27 vjeç dhe një rumune, 29-vjeçare. Gjashtë të arrestuarit përballen me akuzat e krijimit të organizatës kriminale dhe veprimtarisë brenda saj në bashkëpunim, akuza me të cilat do të kalojnë në gjykatë për mase sigurie. Nga hetimi ka rezultuar se banda kriminale prej 7 vetash, për vite të tëra lëvizte lirisht përmes Shqipërisë dhe dërgonte në Greqi armë zjarri dhe lëndë narkotike, kryesisht marijuanë. Ngarkesa më e fundit ishte ajo e ditës së shtunë, kur 27-vjeçari francez me makinën e tij, futi pa asnjë vështirësi në territorin grek përmes pikës kufitare me Shqipërinë, sasinë prej 156 kilogramësh lëndë narkotike të llojit marijuanë. Ai e mbajti ngarkesën e drogës për disa orë në Janinë dhe më tej e dërgoi në Athinë me mjetin e tij, por nuk e dinte se ishte vënë në ndjekje nga persona të Shërbimit Informativ të Greqisë dhe agjentët e antidrogës. Këta të fundit kanë pritur grumbullimin e të gjithë pjesëtarëve, për t’i vënë më pas në pranga, por pa mundur ta realizonin këtë me shqiptarin.
#