E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gomez, në kulmin e karrierës

Sulmuesi i Bayern Munichut, Mario Gomez beson se e ka arritur kulmin e karrierës. 26 vjeçari ishte konsideruar si njëra prej enigmave më të mëdha të futbollit gjerman, kur ishte transferuar nga Stuttgarti, por ai shpërtheu në dy sezonet e fundit duke i heshtur kritikët.

Ai ndien se tashmë është pjekur dhe se është duke e shijuar kulmin e karrierës. “Momentalisht jam në vitet më të mira të karrierës. Si 26 vjeç, je në moshën ideale si sulmues. Në këtë moshë je më i matur, ke eksperiencë dhe mund t’i vendosësh ndeshjet, mbetesh i relaksuar”, thotë përfaqësuesi gjerman për magazinën Kicker.

Gomez shkëlqeu me 39 gola në të gjitha kompeticionet në sezonin 2010/11, ndërsa ka shënuar 24 gola në këtë sezon, po ashtu në të gjitha evenimentet. “Jam krenar që isha në gjendje t’i bindja të gjithë për kualitetin tim”, vazhdoi ai. Tash ai synon ta zë një vend në ekipin e parë të Kombëtares së Gjermanisë në prag të Evropianit 2012, i cili do të mbahet vitin që vjen në Poloni dhe Ukrainë.

“Do të bëj gjithçka që ta kem një vend në Kombëtare. Nëse e mbaj këtë nivel të paraqitjeve deri në Evropian dhe nëse trajneri vendos të ma japë rastin, nuk do të kërkoja më shumë”, përfundoi Gomez. Vetëm Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë qenë më të suksesshëm para golit sesa Gomez në pesë vjetët e fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›