Si baba, ashtu edhe i biri

E pabesueshme, kryengritja në Siri ka hyrë tashmë në muajin e dhjetë. Më shumë se 5 mijë persona janë vrarë, sipas të dhënave të OKB-së, me mijëra të tjerë që janë burgosur, torturuar apo që janë dëbuar jashtë vendit. Shumë aktivistë sirianë frikësohen se numri i viktimave mund të jetë edhe më i madh. Në një raport të sapo publikuar të organizatës Human Right Watch janë përmendur njësitë e ushtrisë, të cilave ju është dhënë urdhër që të hapin zjarr kundër protestuesve të paarmatosur. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit janë vrarë mbi 150 persona, shenjë kjo shqetësuese se dhuna po përshkallëzohet.
Megjithatë, në intervistën dhënë kanalit televiziv amerikan ABC, presidenti i Sirisë, Bashar Al Assad, mohoi përmasat e dhunës në vendin e tij dhe kontestoi dëshmitë në raportin e OKB-së, në të cilin ai dhe qeveria e tij akuzohen për krime kundër njerëzimit, duke parashtruar me këtë rast pyetjen:”Kush po thotë se OKB-ja është një institucion i besueshëm?”.
Ai më tutje theksoi se forcat, të cilat po ushtrojnë dhunë kundër protestuesve nuk janë nën komandën e tij, por nën atë të qeverisë dhe la të kuptojë se ai mbështetet nga populli i Sirisë, ngase përndryshe nuk do të ishte në funksionin që është.
A sugjeron kjo se Bashari është në shpërputhje me realitetin politik? Apo ka vendosur-pasi që ka parë fatin e diktatorëve tjerë arabë në Egjipt, Tunizi dhe Jemen, të cilët lëshuan shumë shpejtë pe para protestuesve dhe fundin e dhunshëm të Gaddafit në Libi, i cili luftoi deri në fundin e hidhur-që të mos e ndjek rrugën e asnjërit prej tyre? Për të kuptuar sjelljet politike të Assadit nga një perspektivë psikologjike dhe për të anticipuar se si do të sillet ai më tutje, duhet ta kuptojmë atë në kontekstin e dominimit të familjes Assad në skenën politike të Sirisë.
I Ati i Basharit, Hafëz Al assad, ka qeverisur Sirinë me një grusht të hekurt për tri dekada, përfshirë këtu edhe imponimin e ligjeve të jashtëzakonshme në vitin 1963, të cilat i ndihmuan atij që të eliminojë kundërshtarët politikë dhe i hapën rrugën familjes që të sigurojë dominim afatgjatë politik, përkundër faktit se ishte pjesë e sektit pakicë të alavitëve. Sinonim i pushtetit të tij brutal ishte shtypja e kryengritjes në qytetin Hama, në vitin 1982, me ç’rast u vranë me mijëra sirianë.
Hafezi fillimisht për trashëgimtarë të tij e kishte paraparë djalin e tij të madh, Basselin, shefin e sigurisë së presidentit, i cili ishte i përkryer për funksionin e presidentit. Ai ishte i fuqishëm, i pashëm dhe adhurohej nga femrat. Ai dallonte shumë nga vëllai i tij, Bashari, i cili u rrit nën hijen e Basselit. Bashari ishte i dobët dhe jetonte në botën e tij, i qetë me një zë të butë. Bashar zgjodhi profesionin e doktorit dhe specializoi në fushën e oftamologjisë. Në të vërtetë, Hafezi qysh si fëmijë kishte ëndërruar të bëhej mjek, por familja e tij nuk kishte burimet e nevojshme financiare për ta shkolluar, kështu që ai hyri në ushtri dhe në politikë. Mund të argumentohet se Bashari, duke u bërë mjek, kishte përmbushur ëndrrën e parealizuar të të atit.
Prandaj nuk befason fakti se gjashtë vjet pasi që Basseli humbi jetën në një aksident, në vitin 1994, Bashari braktisi karrierën e tij si mjek, për të qenë përkrah të atit. Nuk ishte e sigurt se Bashari, të cilët dukej se i mungonte karakteri i fuqishëm i të atit, do ta trashëgonte atë në funksionin e presidentit. Familja më tepër i kishte hedhur sytë kah Maheri, vëllai i vogël i Basharit, i cili për nga karakteri i ngjasonte të atit dhe vëllait të tij të madh, Basselit. Megjithatë, në fund, Hafezi emëroi Basharin për pasaardhës të tij, ndërsa Maherin e emëroi kryesues të Gardës Revolucionare.
Fillimisht, sirianët shpresuan se Bashari do të jetë i hapur, liberal dhe një lider reformator. Por këto shpresa bazonin mbi themele të brishta. Kjo shpresë bazonte në qëndrimet e supozuara perëndimore të Basharit, për shkak se ai studimet post-diplomatike i kishte ndjekur në Londër. Imazhin e tij “përëndimor” e forconte edhe më shumë bashkëshortja e tij e lindur në Britani, Asma, perindërit e së cilës kishin emigruar nga Siria në Britani.
Bashari kishte 27 vjet kur jetoi në Londër dhe aty kishte qëndruar vetëm 18 muaj. Gjatë gjithë kohës së tij ai ka qenë i përcjellë nga forcat personale të sigurisë, prandaj kontakti i tij me botën perëndimore ka qenë i kufizuar.
Sidoqoftë, realiteti politik shumë shpejtë zbehu shpresat e sirianëve për modernizim. Me rritjen e trysnisë për reforma politike, Bashar kuptoi se po kërcënohej gjithnjë e më shumë pushteti i pakicës së tij alavite dhe qarku i tij i brendshëm kërkonte nga ai që të frenonte popullatën shumicë sunite, siç do të kishte vepruar edhe i ati i tij.
Bashari kurrë nuk ka mësuar nga ati i tij i fuqishëm se si të reagojë ndaj protestave pa përdorim të dhunës. Pas të gjithave, masakra në Hama mbajti Hafëz Al Assadin në pushtet edhe për dy dekada tjera. Duket se Bashari deri në fund do të ndjekë kursin aktual destruktiv, të cilin e kishte iniciuar i ati i tij në vitin 1982.