E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gomonia e drogës sfidon moratoriumin në det

Një gomone e destinuar për të transportuar marijuanë nga Shqipëria në Itali u bllokua dje në mëngjes në brigjet italiane


Mjeti lundrues u zbulua në territorin shqiptar, por mundi t'iu shmangej mjeteve detare të policisë kufitare


TIRANE- Moratoriumi kundër lëvizjes së mjeteve motorike detare, në brigjet dhe hapësirën detare shqiptare vazhdon të jetë në fuqi, por kjo duket se pak po i pengon trafikantët e ndryshëm të drogës të mos lundrojnë në det.


Mëngjesin sotëm, në ujërat territoriale italiane u bllokua një tjetër skaf me dy persona shqiptarë në bordin e tij të cilët u arrestuan nga autoritetet policore italiane. Valentin Ndoj nga Fushë- Kruja, 23 vjeç, dhe Arben Isufi, 29 vjeç, nga Delvina janë dy të arrestuarit të cilët janë ndaluar nga policia italiane pas ndjekjes që nisi nga brigjet shqiptare.


Më pas mjeti kaloi nëpër brigjet greke, pranë ishullujve të Fanos, dhe më pas iu drejtua brigjeve italiane, ku edhe gomonia e drejtuar prej tyre u bllokua nga autoritetet policore të vendit fqinj.


Mjeti lundrues ishte i gjatë rreth 9 metra dhe i pajisur me tre motorë të fuqishëm, për të bërë të mundur shmangien e tij prej mjeteve të shpejta lundruese detare të policisë italiane.


Lajmi u bë i ditur dje nga zyra e marrëdhënieve me publikun në Policinë e Shtetit, sipas të cilës, mjeti ishte shquar në brigjet shqiptare gjatë orëve të para të ditës së djeshme pas mesnatës së të hënës. Ai, sipas burimeve të policisë, lëvizte me shpejtësi në drejtim të brigjeve greke të ishullit të Fanos, në veri të hapësirës detare greke.


Edhe në këtë territor gomonia me dy shqiptarët në Bord nuk ka qëndruar shumë, me qëllim për t'iu shmangur bllokimit nga forcat detare të Greqisë, dhe ka tentuar të largohet, me qëllim për t'iu shmangur kapjes nga forcat e Rojes Bregdetare.
"Menjëherë janë informuar të gjitha shërbimet e Policisë së Shtetit, si dhe u morën masa e u përforcuan shërbimet në det e tokë gjatë vijës bregdetare.


Në ndjekje të këtij mjeti janë vënë shërbimet e delta Forcës, si dhe mjeti i Rojes Bregdetare italiane (Guardia di Finanzia) në Vlorë, në bordin e të cilit është i dislokuar dhe një punonjës i Policisë Kufitare Shqiptare, 24 orë pa ndërprerje,- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.


Më tej gjatë ndjekjes mjeti lundrues ndërroi kursin e lëvizjes së tij, duke iu drejtuar brigjeve italiane. Sipas njoftimit të policisë, për fat menjëherë qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, vuri në dijeni autoritetet policore italiane, të cilët menjëherë nisën një helikopter me qëllim bllokimin e mjetit të fuqishëm lundrues.


Pas kalimit të mjetit në ujërat teriroriale italiane, ndjekja e tij është vazhduar prej këtyre të fundit në këtë territor, Në deklarimin e saj të djeshëm policia konfirmoi se mjeti shërbente për trafik të lëndëve narkotike dhe se po punohej sipas tyre me autoritetet policore të këtij vendi për zbulimin e rrjetit dhe dokumentimin e veprimtarisë.


Pak muaj më parë, policia italiane ka kryer edhe operacione të tjera për bllokimin e gomoneve që vinin nga Shqipëria në tentativë për të futur drogë në Itali.


Një ngjarje e tillë ndodh, në kohën që autoritetet shqiptare shtrënguan përdorimin e mjeteve lundruese për qëllime turistike, ndërsa për qeveritarët u hoq kufizimi i përdorimit të mjeteve lundruese.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›