Rama takon Topin: Zgjidhja e kompromisit është në tavolinë

Kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës. Më pas, Rama u shpreh i gatshëm për kompromis, por pa cenuar transparencën
TIRANË - Në kushtet kur faktori ndërkombëtar u ka lënë dy javë kohë mazhorancës dhe opozitës për të zgjidhur krizën politike, dhe kur ditën e sotme mbërrijnë ekspertët e BE-së, opozita ka vijuar lëvizjet e saj për të gjetur një zgjidhje me qëllim transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi dje një takim kokë më kokë me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, për këtë çështje.
Takimi që u zhvillua në selinë e Presidencës pa praninë e mediave, vjen në një moment kur mazhoranca nuk pranon që fletët e kutive votimit të shqyrtohen nga Komisioni i Venecias, duke iu përmbajtur qëndrimit se ato duhet të digjen, sipas nenit 178 të Kodit Zgjedhor.
Presidenca ka qenë mjaft e rezervuar lidhur me takimin e zhvilluar. "Situata më e fundit politike në vend ishte temë kryesore e bisedës kokë më kokë të zhvilluar në zyrën e Kryetarit të Shtetit", - thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës .
Transparenca e zgjedhjeve
Për këtë arsye, në konferencën për shtyp pas takimit me kreun e shtetit, kryetari i opozitës, Rama, theksoi se ky është momenti politik kur mazhoranca duhet të lërë mënjanë kokëfortësinë e saj dhe t'i hapë rrugë transparencës së zgjedhjeve të qershorit. Sipas Ramës, opozita është e gatshme që të vendosë kompromisin politik me mazhorancën, por kjo e fundit sipas tij, nuk duhet të fshihet pas alibive duke e vonuar zgjidhjen e ngërçit politik.
Duke iu referuar deklaratës së ambasadorit amerikan Xhon Uidhers për ekzistencën e një krizë qeverisjeje, Rama vuri në dukje se shumica në pushtet duhet të ofrojë zgjidhje, pasi thellimi i krizës qeverisëse nuk i shërben stabilitetit institucional e duke cenuar në të njëjtën kohë edhe ekuilibrat kushtetues.
"Ky është momenti kur veçanërisht qeveria duhet të lërë mënjanë kokëfortësinë e t'i hapë rrugë transparencës, sepse askujt nuk i intereson që kriza qeverisëse të thellohet në dëm të stabilitetit institucional të vendit duke thelluar krizën e ekuilibrave tejet të cenuar të pushteteve kushtetues të Republikës sonë dhe duke ndikuar drejtpërdrejtë në thellimin e krizës ekonomike të këtij vendi.
Ne jemi gati për zgjidhjen, pala tjetër s'ka pse fshihet pas alibive që tanimë janë rrëzuar dhe as duhet ta vonojë pranimin e zgjidhjes duke u faturuar shqiptarëve pasoja krejt të pamerituara e duke shtuar peshën e krizës në kurriz të interesave të vendit dhe me pasoja të pallogaritshme në rrugën e integrimit evropian",- tha dje Rama.
Kreu i opozitës nënvizoi gjithashtu se opozita kërkon zgjidhje të krizës politike pa cenuar transparencën e plotë të zgjedhjeve dhe duke respektuar në të njëjtën kohë edhe Kushtetutën e vendit. Për të dalë nga kjo gjendje politike, sipas Ramës, zgjidhja është në tavolinë.
"Kriza e thellë ku zhytet çdo ditë Shqipëria kërkon zgjidhje dhe opozita është e gatshme të japë zgjidhjen e duhur, duke bërë kompromisin e duhur, por pa cenuar transparencën e në respekt të Kushtetutës. Zgjidhja e kompromisit është në tavolinë si shprehje e vullnetit tonë të mirë dhe e vetëdijes sonë politike e qytetare për nevojën e madhe që ka Shqipëria sot për t'u çliruar nga pesha e krizës së mungesës së transparencës",- u shpreh ai.
Lideri i së majtës specifikoi se vendi nuk mund të mbetet peng i krizës politike, që e ka zanafillën tek kutitë e mbyllura të zgjedhjeve të qershorit të kaluar. Kjo situatë sipas Ramës ka rënduar gjendjen e demokracisë, funksionimit të drejtësisë dhe ekonomisë së Shqipërisë.
"Shqipëria nuk mund të tërhiqet më zvarrë në hullinë e një krize politike e institucionale, e cila i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura të 28 qershorit të shkuar dhe, teksa po vjen qershori i ri, mbetet e pazgjidhur duke rënduar gjendjen e demokracisë, drejtësisë, ekonomisë së vendit", - përfundoi Rama.
Ambasadori Helmut Lohan i drejtohet liderëve politikë. Ndërsa Bosh apelon për një Kuvend konstruktiv
Lohan: Mbani përgjegjësi, nëse dështoni me negociatat
TIRANË - Incidenti i dy ditëve më parë midis deputetëve të shumicës dhe opozitës në Kuvend nuk është pritur mirë nga faktori ndërkombëtar, në një kohë kur ky i fundit pret zhvillime pozitive, që forcat politike të gjejnë gjuhën e kompromisit dhe dialogut politik pas rikthimit të deputetëve socialistë në Parlament.
Kreu i Prezencës së OBSE-së në Shqipëri, Robert Bosh, duke përshëndetur rikthimin e deputetëve të opozitës në sallën e Parlamentit, theksoi se Kuvendi është vendi për të zhvilluar debatin politik e për të arritur në zgjidhjen e krizës politike.
Duke iu referuar konfliktit midis deputetëve Tom Doshi dhe Gent Strazimiri në sallën e Kuvendit, Bosh specifikoi se disa persona akoma nuk e kanë kuptuar qëllimin dhe funksionin e Parlamentit dhe, sipas tij, ata po e përdorin foltoren e këtij institucioni jo për të dialoguar midis tyre, por për fyer kundërshtarët politikë. Ky incident, sipas ambasadorit të OBSE-së, është zhgënjyes dhe i papranueshëm.
"Kam një apel dhe ai është, që jam shumë i lumtur të shihja të dyja palët në Parlament në një seancë normale parlamentare. Pra, është ajo që kemi thënë edhe më parë që Parlamenti është vendi për debatin politik. Por jam i zhgënjyer që disa njerëz ende nuk e kanë kuptuar këtë.
Në vend që ta përdorin Parlamentin për debatin politik, po e përdorin atë për të fyer kundërshtarët politikë. Kjo nuk duhet të ndodhë, Parlamenti është për debatin politik edhe për asgjë tjetër", - tha dje Bosh.
Ndërsa ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan, vuri në dukje se negociatat për zgjidhjen e situatës politike duhet të realizohen nga liderët politikë dhe sipas tij, janë ata që duhet të gjejnë gjuhën e marrëveshjes për të zgjidhur situatën politike. Sipas Lohan-it, ata janë të ndërgjegjshëm për këtë përgjegjësi dhe për këtë arsye sipas tij, ata duhet ta marrin përsipër për ta zgjidhur.
"Përgjegjësia për negociatat dhe gjetjen e një zgjidhjeje i takon liderëve politikë shqiptare dhe ata janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë përgjegjësi", - u shpreh Lohan. Deklaratat, dy ambasadorët i bënë pas një konference mbi zhvillimin dhe rrezikun e ndikimit të shoqërisë civile nga politika.