E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ulja e kostove për transfertat bankare, Shalsi: 40 milionë euro kursime në vit për qytetarët


TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Eduart Shalsi, vlerësoi vendimin e Bankës së Shqipërisë për uljen e kostove të transfertave bankare për qytetarët shqiptarë.

Shalsi bëri të ditur se me këtë ndërhyrje të BSH, pagesat bankare do të kenë komisione më të ulëta, duke lehtësuar kështu shpenzimet për qytetarët.

Për transfertat deri në 40 mijë lekë, nuk do të ketë komisione. Për shumën nga 40 mijë deri në 10 milionë lekë, komisionet do të variojnë nga 50 deri në 75 lekë, ndërsa për shumën mbi 10 milionë lekë, komisioni do të variojë nga 75 deri në 500 lekë.

Në lidhje me pagesat në euro, komisionet do të jenë shumë më të ulëta se më parë. Për shumat deri në 100 mijë euro, komisioni do të jetë vetëm 0,01% e shumës, dhe për shumat mbi këtë shumë, komisioni do të ketë një tavan prej 25 euro.

Për transfertat në euro nga jashtë Shqipërisë, komisionet do të variojnë nga zero euro deri në një, maksimumi prej tre euro në sistemin SEPA.

“Kjo ulje e komisioneve do të lejojë shqiptarët të kursejnë deri në 40 milionë euro në vit”, theksoi Shalsi.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›