Gorani: Ministri e re për veriun
Një ministri për veriun e Kosovës - është kjo ide e bërë publike nga këshilltari i kryeministrit, Dukagjin Gorani, për integrimin më të lehtë të veriut.
Interpretimi nga qeveria i kërkesës së Komisionit Evropian në lidhje me axhendën gjithëpërfshirëse për veriun, sipas Goranit, do të nënkuptonte krijimin e një ministrie të tillë, e cila do të duhej të ndihmonte në integrimin përmes mjeteve ekonomike e politike.
“Me kalimin e veriut si çështje e një rëndësie të jashtëzakonshme në kontekstin praktik, kjo do të nënkuptonte përgatitjet për formimin e një ministrie. Nëse situata në veri interpretohet si çështje praktike dhe e rëndësishme, interpretimi i saj institucional do të mund të nënkuptonte formimin e një ministrie”, tha Gorani për mediat kosovare.
Ai i bëri këto komente në një debat mbi axhendën gjithëpërfshirëse për veriun, të organizuar nga Grupi për Studime Politike dhe Ekonomike, si dhe Lëvizja Evropiane në Kosovë.