Oketa: Topi mund të kthehet në PD
Shqiptarët dhe faktori politik do të presin deri në korrik për të riparë Bamir Topin ndërsa hyn në selinë e Partisë Demokratike. Të paktën sipas deputetit demokrat Gazmend Oketa kjo do të ndodhë që në momentin kur kreu i shtetit do të lërë presidencën si një qytetar i lirë për të zgjedhur partinë politike që preferon, dhe që sipas Oketës ia mundëson rikthimin automatikisht në selinë blu.
Por a ka një projekt grupi i Topit brenda PD-së të formojë një parti të re dhe kjo parti a do të jetë vazhdim i Aleancës Kuq e Zi? Për deputetin Oketa ish zëvendëskryeministër dhe ministër në qeverinë Berisha, përplasjet mes mazhorancës dhe presidentit në shumicën e rasteve janë thjesht sepse deri në momentin kur do ketë diçka konkrete do të rrjedhë shumë ujë nën ura. Gazmend Oketa flet me rezerva edhe për mënyrën si funksionojnë forumet e partisë por e sheh si një tkurrje rezultatin e 8 majit për forcën në të cilën ai bën pjesë.