E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gorbachov: Putin të japë dorëheqjen

Vladimir Putin duhet të japë dorëheqjen e menjëhershme përballë kontestimeve të paprecedenta kundër regjimit të tij. Kështu ka deklaruar ish-presidenti sovjetik Mikhail Gorbaçov për një radio moskovite. Lideri i fundit sovjetik Mikhail Gorbaçov i kërkoi kryeministrit Vladimir Putin tu përgjigjet protestave duke dhënë dorëheqjen. Në këtë formë ai i kërkoi Putinit publikisht të mos ndërmarrë një përpjekje për të garuar për president vitin e ardhshëm.

“Do ta këshilloja Vladimir Putin që tani të largohet. Ka patur tre mandate: dy si president dhe një si kryeministër. Tre mandate janë mjaftueshëm”, tha Gorbaçov.  “Bën mirë të largohet tani në mënyrë që të mbahet mend për gjërat e mira që ka bërë gjatë kohës kur ka pasur pushtetin”, shtoi 80-vjeçari, i cili tashmë ka shumë pak ndikim në Rusi.
 

Dhjetëra mijëra persona u mblodhën në qendër të Moskës për të shprehur indinjatën e tyre ndaj mashtrimeve të bëra në zgjedhjet e fundit parlamentare në Rusi. Ata miratuan rezolutën “për të mos i dhënë as edhe një votë të vetme kryeministrit Vladimir Putin” në zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.

Protestuesit thonë se zgjedhjet parlamentare të katër dhjetorit, që u fituan nga partia e kryeministrit Putin, ishin të manipuluara, akuza këto që mohohen nga qeveria. Presidenti Dimitri Medvedev njoftoi reforma politike këtë javë, por për demonstruesit kjo nuk është e mjaftueshme. Ata kërkojnë një përsëritje të zgjedhjeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›