E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, besimtarët katolikë kremtojnë Krishtlindjet

Në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë, besimtarët e fesë katolike shënuan të premten pas mesnate festën e Krishtlindjes. Me këngë, lutje dhe lexime të vargjeve biblike, u mbajt mesha tradicionale e Krishtlindjeve.

Të pranishmit thanë se Krishtlindjet u kujtojnë më shumë se kurrë se sa duhet të kenë dashuri njerëzit ndërmjet tyre. Mesazhe për paqe, solidarizim dhe unitet, përçolli gjatë ceremonisë për Krishtlindjet e këtij viti, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji. Ai gjithashtu tha se askush nuk do të mund të ndryshojë identitetin e popullit shqiptar.

Mesazhe urimi për Krishtlindje, të gjithë besimtarëve të krishterë u përcolli edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ishte e pranishme në meshë. “Krishtlindjet na gjejnë të lirë dhe të pavarur në ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë sipas parimeve të drejta të njerëzimit, të lirisë e të barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim, për ta bërë atdheun tonë, Kosovën, një vend të përparuar e demokratik, një vend të dashur për ne dhe për brezat që vijnë”, thuhet në telegramin e presidentes Jahjaga. Në Kosovë Krishtlindja festohet tradicionalisht nga qytetarë të besimeve të ndryshme.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›