E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saleh: Do largohem nga vendi drejt SHBA-së

Presidenti i Jemenit Ali Abdullah Saleh ka premtuar se do të largohet nga vendi në drejtim të Shteteve të Bashkuara, disa orë pasi forca të sigurisë besnike të tij vranë 9 protestues të opozitës, pjesëmarrës në një demonstratë masive në kryeqytet. Në një konferencë për shtyp, Saleh tha se ai do të shkojë në Shtetet e Bashkuara gjatë ditëve të ardhshme për “t`iu larguar” vëmendjes së medias dhe për të lejuar qeverinë e koalicionit të përbashkët të përgatisë zgjedhje për muajin shkurt për zëvendësimin e tij. Ai gjithashtu premtoi të kthehej sërish në Jemen për të vazhduar të punojë si një politikan opozitar. Saleh nuk dha ndonjë datë të saktë lidhur me planet e tij të udhëtimit. Më parë, trupa qeveritare të Jemenit kishin hapur zjarr për të ndalur përparimin e dhjetëra mijërave demonstruesve anti-qeveritarë, të cilët kishin mbërritur në kryeqytetin Sana pas një udhëtimi 4 ditor të nisur prej qytetit Taiz, 270 kilometra më në jug. Më herët, Forcat e sigurisë qëlluan mbi një turmë demonstruesish duke vrarë 9 persona në Jemen.
Protestuesit kundër regjimit të presidentit Ali Abdallah Saleh janë qëlluar me armë zjarri në një lagje në periferi të Sanaa.
Dhjetëra persona të tjerë janë plagosur kur policë dhe njerëz të tjerë të armatosur, besnikë të Saleh, hapën zjarr ndaj turmës prej mijëra njerëzish. Protestuesit kërkonin ndjekjen penale për presidentin Saleh, i cili dha dorëheqjen pasi ra pas disa muajsh protestë. Jemeni, me popullsi prej 24 milion banorësh, është vendi më i varfër i botës arabe, përballet me sfida si vështirësitë ekonomike, lëvizjet separatiste dhe lindja e rrymave militante.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›