E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gorbachov kërkon dorëheqjen e Putinit

“Vladimir Putin duhet të japë dorëheqjen e menjëhershme përballë kontestimeve të papara kundër regjimit të tij”. Kështu ka deklaruar ish-presidenti sovjetik, Mikhail Gorbachov.

“Bën mirë të largohet tani, në mënyrë që të mbahet mend për gjërat e mira që ka bërë gjatë kohës kur ka pasur pushtetin”, shtoi 80-vjeçari.

Dhjetëra mijëra persona u mblodhën në qendër të Moskës për të shprehur inatin e tyre ndaj mashtrimeve të bëra në zgjedhjet e fundit parlamentare në Rusi.

Ata miratuan rezolutën “për të mos i dhënë as edhe një votë të vetme kryeministrit Vladimir Putin” në zgjedhjet presidenciale, që do të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.

Por pavarësisht trysnisë në rritje nga populli, Vladimir Putin u shpreh se është i vendosur që të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të marsit.

Aktivisti Alexei Navalny, u shpreh përpara turmës: “Jemi mjaftueshëm sa për të rrëzuar Kremlinin, por nuk do ta bëjmë këtë pasi ndryshe nga autoritetet, besojmë tek ndryshimi nëpërmjet votës”.

Pavarësisht se protestat kanë qenë pothuajse të përditshme dhe janë konsideruar nga mediat si më të mëdhatë që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, një zëdhënës i Putinit bëri të qartë se “trysnia popullore” nuk do të ndryshojë planet e tij.

”Shumica e popullsisë vazhdon ta mbështesë, prandaj Putin nuk sheh asnjë arsye për të tërhequr kandidaturën e tij për president”, u shpreh zëdhënësi Dmitry Peskov.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›