E Diel, 1 Nëntor 2026

Gorbachov kritikon demokracinë ruse

Presidenti i fundit i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachov, ka ndërmarrë sot sulmin më të ashpër deri me tani sa i përket gjendjes së demokracisë në Rusi, duke theksuar se zgjedhjet në këtë vend janë shaka dhe se i tërë sistemi është i qelbur.

Gorbachov këto komente i bëri pasi që partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, e kryesuar nga kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, shënoi fitore bindëse në zgjedhjet lokale, duke nxitur akuzat për manipulim të votës.

Zgjedhjet janë shndërruar në një përqeshje të popullit dhe njerëzit nuk janë të kënaqur për mënyrën se si po shfrytëzohen votat e tyre, tha Gorbachov, në intervistën dhënë gazetës Novaya Gazeta.

Ai shtoi se apatia dhe mosbesimi në sistemin zgjedhor të Rusisë është aq i madh, sa që njerëzit thjeshtë nuk do të dalin më në zgjedhje.

Çka është demokracia, kur njerëzit nuk marrin pjesë në të. Sistemi zgjedhor është keqpërdorur. Na nevojitet një alternativë. Shtypi dhe grupet civile duhet të ndërmarrin vet iniciativën për një ligj të ri zgjedhor. Nuk ka kuptim që të llogaritet në parlamentin e Rusisë, tha Gorbachov.

Me reformat e tij të kujdesshme sa ishte president sovjetik, Gorbachov konsiderohet si njeri që ka nxitur shembjen e komunizmit në Europën Lindore në vitin 1989 dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›