Fundjavë me xhaz
Fundjava mirëpriti në Durrës një grup vokal nga Holanda. Koncerti u organizua në kuadrin e veprimtarive artistiko-kulturore, që gjithnjë e më shpesh po ndërmerr shoqëria kulturore "Isamnus". Vokalistët u ngjitën në skenën natyrore me të njëjtin emër, ngritur vetëm pak metra larg teatrit "Aleksandër Moisiu", për të interpretuar para publikut të zgjedhur durrsak repertorin e tyre të pasur. Koncerti shënon dhe nisjen e sezonit artistik në natyrë. Dy vitet e fundit organizimet e shfaqjeve kulturore në ambiente të hapura, jo vetëm sheshe, kanë nisur të zhvillohen gjithnjë e më shumë në Durrës. Grupi vokal holandez "Moveable property" u formua në vitin 1997 nga një mësues kantoje, Hynke Hoistma, i cili donte të provonte realizimin e pjesëve më të vështira për vokalin xhaz, si dhe harmoninë. Njëmbëdhjetë vjet më vonë janë sopranoja Sjoukje Ystma, alto Esther de Meijerm, tenori Henk Zegwaard dhe baritoni Jan Gommans, që vazhdojnë akoma të këndojnë me të njëjtin entuziazëm, të shoqëruar në piano nga Corinne Staal. Pavarësisht se fillimet e grupit i përkisnin muzikës xhaz, tani repertori i tij mbulon një shumëllojshmëri stilesh muzikore. Gjatë koncertit në Durrës, publiku shijoi xhazin e ndërthur bukur me interpretime latine dhe pop, kryesisht në gjuhët angleze dhe holandeze. Të pamësuar me stilin e të kënduarit të vokalistëve holandezë, që është ai kishtar, një pjesë e publikut nuk mori kënaqësinë e pritur nga koncerti. Sipas organizatorëve, ky grup vokal e fitoi famën pikërisht gjatë një turi nëpër kishat historike frisiane në fillim të viteve 2000 për t‘u bërë i njohur edhe më gjerë. Gjithsesi, për pjesën më të madhe repertori u ndoq me kënaqësi, pikërisht për risinë që sillte në të interpretuarin edhe të këngëve të mirënjohura në mbarë botën, si "Drive my car" të ish-Bitëllsave, "Angel Eyes" etj. Ky grup, në vitin 2004 u vlerësua nga juria e Festivalit Ndërkombëtar të Grupeve Vokale, mbajtur në Tilburg, ndërsa dy vjet më parë u nderuan me çmim gjatë festivalit holandez të vokalit. CD-ja e tyre e parë, e dalë me rastin e 10-vjetorit të formimit si grup u mirëprit në Holandë dhe më gjerë, duke u siguruar atyre një varg koncertesh vokale në vend dhe jashtë tij.