E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gordon: Palët të ruajnë qetësinë, te respektojnë procesin

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje udhëheqësve dhe të gjithë anëtarëve të partive politike në Shqipëri të respektojnë procesin zgjedhor dhe të ruajnë qetësinë.
Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Filip Gordon theksoi se SHBA-ja e ka ndjekur nga afër situatën në Shqipëri që nga zgjedhjet e 8 majit ndërsa nënvizon se dhuna dhe retorika që kërcënon për dhunë ose nënkupton akte dhune nuk është me vend dhe përbën kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë.
Ndihmës Sekretari Gordon thekson rëndësinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kryejë funksionin e tij në mënyrë konsistente dhe transparente, në përputhje të plotë me ligjin, për të krijuar besim tek populli dhe për të garantuar integritetin e mandatit të këtij institucioni.
“Politikanët shqiptarë duhet të përqendrohen në shkëmbime konstruktive, në vepra që i shërbejnë një vendi me një të ardhme në Bashkimin Evropian dhe jo tek retorika apo veprimet negative, që vetëm e denigrojnë këtë process” thekson më tej Ndihmës Sekretari i Shtetit.
Gordon shprehet se populli shqiptar meriton një demokraci të qëndrueshme dhe të begatë, bazuar në vlerat universale dhe shtetin ligjor”.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›