E Diel, 1 Nëntor 2026

Gordon: Serbia të pranojë realitetin e ri në Kosovë

Ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Phillip Gordon, i bëri thirrje Serbisë të pranojë realitetin e ri në Kosovë ndërsa apeloi edhe për heqjen e barrikadave në veri.
Gordon përjashtoi mundësinë për ndarjen e Kosovës dhe përsëriti qëndrimin amerikan se çdo retorikë që bën thirrje për ndarje është e dëmshme dhe në kundërshtim me përpjekjet e ndërkombëtarëve për rajon të qetë dhe të stabilizuar.
Ndihmëssekretari amerikan tha se është e pamundur të flitet për një Evropë që është e tërë, e lirë, demokratike, dhe paqësore pa zgjidhur punët e pambaruara në Ballkanin Perëndimor.
“Qëllimi i qartë i politikës sonë është integrimi i këtyre vendeve në institucionet euro-atlantike”, tha Gordon gjatë seancës dëgjimore të Dhomës së Punëve të Jashtme të Nën-komitetit për Evropë dhe Euro-Azi.
Gordon theksoi se SHBA-ja pajtohet me partnerët evropianë se Serbia duhet të pranojë realitetin e një Kosove të pavarur e shumetnike me kufijtë e saj aktual.
“Sipas pikëpamjes tonë, nuk është në përputhje me standardet e BE-së që Beogradin të ketë mbajtur dhe financuar nga viti 1999 një forcë të zyrtarëve të sigurisë në Kosovë, në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244”, ka thënë Gordon.
Lidhur me bisedimet e nisura në mars mes Serbisë dhe Kosovës, ai theksoi se “ato qartazi nuk kanë të bëjnë me rihapjen e çështjes së statusit të Kosovës, i cili tashmë është zgjidhur”.
Gordon gjithashtu deklaroi se Shtetet e Bashkuara presin që qeveria e Serbisë të bashkëpunojë plotësisht me KFOR-in dhe EULEX-it edhe për heqjen e menjëhershme të bllokadave të rrugëve edhe për të siguruar kontroll të duhur në kufi.
“Nuk ka asnjë mënyrë që kufijtë në këtë rajon të rimodelohen në bazë të vijave të pastra etnike”, thotë Gordon.
Kur është fjala për Kosovën, Gordon thekson se ka, “përparim të dukshëm në tre vitet e fundit me forcimin e institucioneve të saj politike dhe përmbushje më të madhe të detyrimeve të tij sipas planit të Ahtisaarit”.
Ai ka sugjeruar se Kosova duhet të vazhdojë punën e vështirë të ndërtimit të një shteti të bashkuar dhe forcimit të institucioneve shumë etnike dhe demokratike të saj.
“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se një pjesë e rëndësishme e këtij procesi përfshin respektin për të drejtat e të gjitha komuniteteve të Kosovës duke përfshirë edhe serbët e Kosovës dhe ruajtjen e trashëgimisë së tyre kulturore dhe fetare”, tha Gordon.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›