E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gordon takon udhëheqësit e Serbisë

(E plotësuar) Ndihmëssekretari amerikan për çështjet Evropiane, Filip Gordon, gjatë vizitës që po zhvillon në Beograd ka takuar udhëheqësit institucional dhe ata politik të vendit.

Gordon në mëngjesin e së hënës ka takuar presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliq, pas të cilit takim nuk ka pasur ndonjë prononcim për media, por zyra e presidentit serb ka njoftuar se Nikoliq ka kërkuar nga strukturat ndërkombëtar të ushtrojnë autoritetin e tyre në Kosovë në harmoni me mandatin e vetë që kanë.

Sipas njoftimit, thuhet se ai ka thënë se mandati i tyre është ta mbrojnë popullatën në Kosovë, të cilin mandat e kanë njohur edhe autoritetet e Serbisë.

Po ashtu Nikoliq, citohet të ketë thënë, se duhet ndryshuar klima e sigurisë së qytetarëve në Kosovë, para rifillimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit me Nikoliqin, Gordon ka takuar edhe mandatarin për krijimin e qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq.

Ndihmëssekretari amerikan, po ashtu mbrëmë është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike, ish presidentin Boris Tadiq, por as nga ky takim nuk janë dhënë detaje të bisedimeve.

Gordon sot viziton Kosovën

Ndihmëssekretari amerikan për çështjet Evropiane, Filip Gordon pritet të vizitojë sot Kosovën.

Kabineti i presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga ka njoftuar se Gordon dhe Jahjaga do të kenë një adresim të përbashkët për media diku pas orës 16:00.

Në agjendën e prezantuar javën e kaluar nga Ambasada Amerikane ishte paralajmëruar edhe një vizitë në veri të Mitrovicës, ku Gordon planifikon t’i vizitojë forcat paqeruajtëse të KFOR-it dhe misionin e EULEX-it.

Paraprakisht, Gordon ka qëndruar edhe në Beograd në kuadër të një turneu diplomatik nga 6 deri më 12 korrik, gjatë të cilit ka vizituar Francën, Kroacinë, ndërsa ka vazhduar me Serbinë, Kosovën dhe Qipron.

Një ditë më parë, në samitin në Dubrovnik të Kroacisë, Gordon i bëri thirrje Serbisë që të pranojë "realitetin" e pavarësisë së Kosovës, edhe në qoftë se Beogradi nuk e njeh formalisht pavarësinë.

"As ne, as Bashkimi Evropian nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën në këtë pikë. Nuk do ta bëjë këtë", ka thënë Gordon.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›