E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Përgjegjësia rreth zgjedhjes së presidentes bie tek liderët

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, ka theksuar se aktorët e marrëveshjes duhet ta gjejnë rrugën për të dalë nga situata në të cilën është krijuar.

Ndërkaq, sa i përket rezolutës që është miratuar në Kuvend, Krasniqi ka thënë se në asnjë rast rezoluta nuk mund ta ketë fuqinë ligjore më të fuqishme se sa që e ka kushtetuta.

Mirëpo, opozita ka mendime të ndryshme rreth vendimit të gjykatës.

Krasniqi, nuk ka dashur të komentojë shumë rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e Presidentes së Kosovës.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Krasniqi ka thënë se për këtë duhet pyetur aktorët e marrëveshjes.

“Sa i përket pjesës së marrëveshjes mendoj se është mirë t`i pyetni aktorët e marrëveshjes dhe mendoj se ata duhet ta gjejnë rrugën për të dalë nga situata që është krijuar. Unë kam thënë që në fillim se marrëveshja ka qenë jo kushtetuese”, theksoi Krasniqi.

E, në anën tjetër partitë opozitare kanë mendime të ndryshme lidhur me vendimin e gjykatës. Ismet Beqiri nga LDK-ja, parti kjo e cila ishte pjesë e marrëveshjes për zgjedhjes e presidentes, tha se vendimi i gjykatës po e rrezikon në masë të madhe reformën kushtetuese në Kosovë.

“Do të insistojmë që reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore të përcillen ne Kuvend, dhe nëse kjo nuk ndodhë atëherë sigurisht që është vota ajo që do të vendosë dhe atëherë do të ketë bllokadë dhe nuk do të ketë mundësi të ecët më tutje. Mos të harrojmë se kur është marrë vendimi akterë kanë qenë të gjithë, edhe ata që sot po e përkrahin mendimin e gjykatës por edhe vet presidentja. Prandaj, nuk mund të jetë rezultat i marrëveshjes e të mos jetë pjesë e marrëveshjes, nuk shkojnë këto dy gjëra”, tha Beqiri.

Por, ndryshe mendon Ardian Gjini nga AAK-ja. Sipas tij, vendimi i gjykatës duhet të respektohet.

“Kosova nuk ka rrugë tjetër përpos se ta respektojë vendimin e gjykatës përshkak se mos respektimi i vendimit do ta sillte vendin në telashe edhe më të mëdha se sa që është tani”, deklaroi Gjini.

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është vendosur që më 12 korrik të mbahet seanca e radhës ku pritet të miratohet ligji për Buxhetin e Kosovës.

Gjithashtu, do të ketë edhe interpelancë të ministres Mimoza Kusari Lila lidhur me tarifën e çimentos nga Shqipëria, si dhe debat rreth përdorimit të tri kodeve të huaja telefonike në Kosovë. Ndryshe, pas seancës së radhes Kuvendi do të shkojë në pushim deri më 20 gusht. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›