E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sovran apo mbi sovran?

Edhe pas 20 vjetesh ne demokraci urrejtja dhe frika mbeten forca motivuese që konvergjojne në "aftesine' e "elitave" tona politike për të çuar perpara shoqërine.


Ky konvergjim idilik shoqërohet me një koloritet aq të pasur ngjyrash sa shpesh verbon shikimin tonë e kështu ecim në karvan pa e ditur e kuptuar se po i afrohemi greminës.
Thuhet se ne krye të ketij karvani është sovrani popull kur në fakt ai nuk dihet se ku është.


Megjithate, në emer te tij, "djajte me brire" justifikojne aksionet e prapësite e tyre dhe e "argëtojnë" karvanin me misterite e katakombeve të intrigave, pabesive dhe perversitetit politik.


Per 50 vjet rresht në sistemin e diktatures liria e këtij sovrani u shtyp, endrra e tij u shua, njerezit u përndoqen, vranë, dhunuan, burgosën dhe internuan në emër të unitetit dhe shumices. Dhe sovrani ishte aty, në leter, fiktiv e shpesh anonim, i përçarë, i shpërfytyruar në simbole e lëngonte dramën që i kishin shkaktuar bij të tij të pacivilizuar që përveç ngjashmërive biologjike s'kishin asgjë të perbashkët me botën e humanitetin njerëzor.


Vitet 90-te ngjallen shpresen e madhe te rikurorezimit te sovranit ne fron. Ne kerkim te ketij akti ai mori pjese ne aksione politike e i shkoi pas partive që mbinë si kërpudhat pas shiut e që sot janë "baby-boom" i shoqerise shqiptare. Ne angazhimin civil sovrani mbeshteti herë majtas e herë djathtas me shpresën e kotë të gjente vëndin e tij në hierarki.


Por ndersa mbi-sovrani u rrezua, vëndin e tij nxituan ta zenë ata që i kishin sherbyer me besnikëri atij e u betuan të nxisnin më tej urrejtjen e përçarjen që ishin farketuar aq shumë në sistemin e shkuar. Por këtë radhe jo në emer të ideologjive politike por në emër të gratifikimit të urisë për pushtet e pasurimit të pafund.


Nje nga aspektet e rendesishme qe dallon qenien njerezore nga ajo jo e tille eshte deshira konstante e së parës per të plotesuar të gjitha kërkesat e saj. E dyta shkon të flerë dhe zgjohet vetëm kur ka nevojë për një vakt tjetër.


Fatkeqesisht, kjo nuk ndodh me ne. Riciklimi në keto 20 vjet i te njejtave fytyra në pushtet tregon se sa e forte eshte ruajtur e zhvilluar deshira për të mare e mos leshuar atë. Por kush dashurohet në ekstaze pas pushtetit është më shume i prirur të shkaktoje dhimbje se sa kënaqesi. Eshtë kjo ndër arsyet pse gjymtyrë të shoqerisë shqiptare u larguan e vazhdojnë të largohen në kerkim të një vendi ku sovrani është vërtet sovran dhe askush nuk guxon ta trajtojë me cinizëm atë.


Frika dhe urrejtja të mpleksur edhe me ngjyra të tjera politike jane dy nga pasionet që kanë prodhuar e vazhdojne të prodhojne elitat e partive shqiptare.
Ndërsa në vitet e para të pluralizmit shoqeria u ngarkua tej mase nga konflikti i ideologjive rivale më pas ato u kthyen në një apel që behet sa herë është e nevojshme grupimi i njerezve. Ne fakt ideologjite ja kanë lënë vendin pasioneve të frikes dhe urrejtjes që lindin midis grupeve rivale për pushtet.


Politikanet tanë u mësuan të urrejne njeri-tjetrin për shkak të frikes së humbjes së pozitave në shtet duke bere që konkurrenca të shihet si kërcënuese. Zgjedhjet e fundit të cilat propaganduan me buje "ndryshimin" ishin realisht perpjekje të sforcuara të njeres palë për të mos ja lënë pushtetin tjetrës.


Që të ndodhë vërtet ndryshim politikat e partive duhet të drejtohen deri-diku nga ideologjia. Për shume vite me radhe dy partite e mëdha nuk kanë patur ideologji formale për ti drejtuar. Ato kanë patur politika populiste të aplikuara vetëm me idene e fitimit të zgjedhjeve.


Rezultatet e zgjedhjeve te 2009-es treguan se elektorati arriti të ndërgjegjesohej shumë më parë se elitat e partive. Pavaresisht presionit psikologjik parazgjedhor të pozites së sotme "de juro" por jo "de facto" për fitore plebishitare, deluzionit të aleates së saj (LSI) për 30-40 vënde në parlament apo exit poll-eve (fatkeqesisht të kryera në zyrat e pushtetit) sovrani diktoi tjetër magnitude në spektret politike.


I lodhur nga politika e eger e konflikteve dhe luftes së paprincipte për pushtet individual elektorati vuri në baraspeshë partite më të medha politike me shpresen e çveshjes së hegjemonise dhe krijimin e kushteve për integrim së pari brenda llojit.


Platforma ideologjike "Pertej së majtes dhe të djathtes" edhe pse nuk u pertyp nga ata që jane mësuar me bunkerizimin e politikes dhe e shohin ekzistencen e tyre vetëm si produkt i tensioneve, urrejtjes e frikes dha shenjat e para të dëshires për tu shkëputur nga narcisistet e etur për pushtet.


Mundet që një platformë e tillë ti ketë kushtuar humbje votash PS-se e logjikisht pjesa më e madhe e tyre të ketë shkuar për LSI-ne që zhvilloi një fushate elektorale me nota më agressive ndaj partisë në pushtet e sidomos drejtuesit të saj. Përqëndrimi i pushtetit politik krijon një sitem të tille që zgjedh për drejtues individëd me sens të ekzagjeruar të veterëndësise e me mungesë të dukshme të perspektives për atributet e tyre.


Një politikan që është gati të beje gjithçka për të marë e mbajtur pushtetin ka një avantazh të prekshem ndaj kundershtarit që riskon shancet e tij për të avancuar interesat e publikut dhe shoqërise. I pari mbisundon ndaj të dytit sidomos atëhere kur në mjedisin politik votuesit janë relativisht irracionale ndaj qeverise dhe politikave sociale.
Bashkëjetesa e partive politike në vitet e pluralizmit është pare si tabu dhe faktori kryesor i mosfunksionimit ka qene mohimi i vazhdueshëm i qendres në politikë. Kjo ka penguar formimin e një ure lidhëse midis ekstremeve të dy krahëve.


Eshtë e vërtetë se në katër vitet e shkuara oponenca e opozitës ishte mjaft e moderuar dhe larg politikave të konfliktit me çdo mjet e çmim karakteristikë e çdo opozite të mëparshme.


Me përjashtim të fragmenteve të shkëputura opozita bashkëpunoi me pozitën e bindur se interesat e vendit dhe të shoqerise duhet të vihen mbi ato të partise. Në katër vitet që shkuan PS-ja filloi të merrte fizionomine e një partie moderne e hapur për debat dhe tregoi vendosmeri në perpjekjet e saj për tu çliruar nga reminishencat e paragjykimet e së kaluares.


Gradualisht filloi te kristalizohej mendimi se vendi ka më shumë nevoje për kulture të suksesit se sa kulturë të tifozllëkut partiak. Mjaft kuptimplotë është fakti se elektorati tregoi në zgjedhjet e fundit aprovim për rrugen e ndjekur duke e bere PS-ne në pikpamje numerike forcën e parë politike në vend.


Por vullneti i sovranit përsëri u nëpërkëmb dhe u përkthye sipas interesave të klaneve dhe individeve që kanë provuar përfundimisht se nuk mund ti nënshtrohen rregullave të lojes së ndershme në demokraci. Koalicioni PD-LSI është ajsbergu i perversitetit të politikës shqiptare. E servirur paturpësisht si një stisje e imponuar nga "sovrani" kur në fakt ajo është kompromisi i urrejtjes, frikes e cinizmit të atyre që për sovran njohin vetëm vehten!


E servirur si mundesia më e gjetur për eleminimin e krizes politike së mundshme kur në fakt ajo eshte fabrika e saj! Edhe pse e parë me pragmatizëm për momentin ai koalicion dëmton edhe vetë PD-ne sepse në themel ka konceptin se persa kohe unë jam ulur në bashin e vendit nuk ka rëndesi se kush është ulur rreth meje.


Do të ishte naivitet të mendoje se koalicioni i mësipërm është shprehje e bashkepunimit të së majtes me të djathten. Bashkëpunimi e gjuha e mirëkuptimit midis dy partive më të mëdha është imperativ i kohes nëse duam të njohim alternativen e vetme e të vertete që mund të fuse vendin në rrugen e progresit e civilizimit.


Por një gjë e tille mund të arrihet vetëm atëhere kur ajo bëhet pjesë themelore e platformave ideologjike të partive politike, vetëm atëhere kur elitat e tyre pranojnë realitetin e hidhur se janë vetëm ato që janë të interesuar për elektrizimin e mjedisit politik në vend. Mbështetja për një bashkëpunim të tille duhet të gjendet vetëm në elektorat të cilin ironikisht politikanët tanë kanë kërkuar me ngulm ti japin ngjyrat e interesave të tyre.


Por ai nuk mund të jetë produkt i skutave ku thurren intrigat e kalkulimet e pista. Ai nuk mund të jetë produkt i skenareve për të larguar me çdo kusht një kryetar partie vetëm e vetëm se dikush u vetëquajt "fitues" e kështu duhej të kishte një humbes për ta "murosur" në themelet e qeverisë së "integrimit".


As nuk mund të mendohet një politike pajtuese e bashkëpunimi midis spektreve politike në Shqiperi nëse politikanet e sotëm nuk i japin fund apatisë intelektuale e cila promovon inkompetencën. Eshte apatia intelektuale ajo që frymëzon sot refuzimin e realitetit që konfronton apo dhe shpall të pavlefshem komfortin e siguruar padrejtësisht. Një komfort i tille është baza e refuzimit të pozitës për të bere transparencën e plote të zgjedhjeve.


Apatia intelektuale transformon këdo që është fajtor në një person që jeton vetëm sot por mbetet i verber ndaj së djeshmes dhe të nesërmes.


Nëse midis politikanëve tanë ka vërtet intelektualë që kerkojnë ndryshimin e përmbysjen e eksperiencave negative të politikave konfrontuale, urrejtjes e frikes që kanë mbizoteruar deri më tani kjo është sfera ku ata duhet të shpalosin vizionet e tyre e të tregojnë se sovrani popull nuk është koncept abstrakt e nuk mund të jete subjekt i cinizmit.


Nuk mund të perbejne "mendim ndryshe" levizje sporadike për të përjashtuar dikë nga e drejta e kandidimit e zgjedhjes si dhe disa ndryshime statuore që janë probleme të brëndshme të një partie e që mund të zgjidhen pa nevojen e një "fushate" politike.


Të mendosh ndryshe sot mbi të gjitha do të thote të arrish të njohësh se integrimi që kërkojmë të gjithe për në strukturat politike dhe ekonomike të Europes kërkon para së gjithash të integrojme vetvehten, kërkon të tregojme se arbitri më i mire i veprimeve tona është verdikti i popullit dhe vetëm atëhere mund të themi se në Shqiperi ka një sovran të vërtetë. Dhe ne kemi më shumë nevoje se askush tjetër per sovran por jo mbi-sovran.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›