E Diel, 1 Nëntor 2026

Një banor "antirrymë" në Gjegjan!...

Dy ditë pas ngjarjes së rëndë të Gërdecit, disa miq të mi, banorë në fshatin Gjegjan, më telefonojnë për depot me municione të rënda që i kishim mbi krye të fshatit, përzier me shtëpitë e bahçet e tyre. "Kemi qindra e mijëra ton municione aty dhe ne mund ta pësojmë, ndaj duam ta bëjmë problem publik", më flisnin njëri pas tjetrit nga celularët e tyre. Të nesërmen, herët në mëngjes, mora rrugën për atje...

Pas një kalimi kthesave të ngushta të Qafë Benës, na shfaqet aq hijshëm Gjegjani, rrëzë lumit Fan i Madh, një nga fshatrat më të bukur që thua ta kish vendosur në atë luginë një nga peizazhistët më të mirë të globit. Shiu i rënë përgjatë natës e që vazhdonte të binte hera-herës me furi, e kishte larë tërë peizazhin e atij fshati që vjen e ngjitet butas kodrinës kat e më kat, që nga bregu i lumit. Një sistemim perfekt nga hyrja e në të dalë të fshatit të parcelave, ndërsa lulet e kumbullave të grishnin që nga lart për të kaluar disa orë relaksi të vërtetë. I vetmi vend ku nuk shihej ndonjë sistemim toke ishte pjesa veriore në krye të fshatit, ku gjendeshin depot e municioneve. Në fakt, pak më vonë ato nuk dallohen prej pemëve të shumta që janë kudo mes depove.

***

Nuk arrijmë ta mësojmë mirë; a nga frika e Gërdecit a tjetër gjë, por dukej se ruajtësit e këtyre depove, qenë më të kujdesshëm, qoftë dhe në paraqitjen e jashtme, (të paktën kishin edhe rrobat ushtarake, këpucët por dhe kapelat e ushtrisë në kokë!). Ndonëse në një hapësirë të tillë prej 16 ha, ku rreshtoheshin mbi 20 depo përplot me municion dhe godina të tjera, dhe një rrethimi me tel me gjemba, zor të ndalohej të hynte ai që mund ta ketë bërë mend për atje, edhe fëmijë madje. Rojet e atyshme rrëfejnë se këtu gjithçka është sistemuar sipas standardeve të NATO-s, municionet dhe lëndët plasëse janë të ndara me diafragma e masa të tjera. Por dyert e drurit, sikur nuk të bindin. Edhe një fëmijë, me pak forcë, mund t'i hapë.

Edhe pse me këtë sistem sigurie, ku e ku me Gërdecin, nga bisedat me gjegjianët, ata rrëfejnë se këtë rrezik nuk e duan mbi krye, dhe se nuk kanë lejuar që plasjet e predhave të bëhen afër, ndaj i kanë detyruar autoritetet e specializuara ta bëjnë 7-8 km lart në bjeshkë, në një vend të sigurt. Dhe vetë ushtarakët, bij të këtyre anëve, e kanë patur kujdes që të zgjidhnin vendin, madje dhe stinën e eliminimit të municionit të skaduar. Por sërish banorët ndjehen të frikësuar kur risjellin në kujtesë atë që ngjau para dy vitesh nga ngarkesa e pakujdesshme e një predhe, një djegore shkaktoi plagosjen e rëndë të katër burrave. Njërin prej tyre e kam në tavolinë, madje me shtie verë nga rrushi i bahçes së tij. Edhe pse punon në ato magazina thotë se, për mua, duhet të largohen prej fshatit.

Duke ikur nga mikpritja e gjegjianëve, që shquhen për burra të urtë e punëtorë, vetëm njëri, që na pandeh ekspertë të Ministrisë së Mbrojtjes, lutet të mos ua heqim bazën ushtarake prej andej. Marrim vesh më pas, se kishte vëllanë që i punonte aty, ishte në hall...

***

Ja dhe një banor "antirrymë" thashë me vete, ndërsa rreshtoja këto radhë që shtjellojnë në thelb edhe fajësinë e atyre që u ndodh gjëma,si ajo e Gërdecit. Mbase nuk është humane, të gërgasësh banorët e atij vendi që u kanë ikur 25 njerëz nga shpërthimi i tmerrshëm, por të dhemb mënyra se si shqiptarët e thjeshtë nuk e dinë se kur u vjen e mira apo e keqja tek dera, dhe nuk dinë apo nuk bëhen bashkë të reagojnë për ta hequr me kohë atë nga vetja. Tjetër se edhe kur reagojnë nuk i pyet kush, atëherë mbetet të reagojmë të gjithë, nga Jugu në Veri, para se e keqja të na afrohet tek dera jonë. Do të sjell disa shembuj nga puna në terren, kur zor për be` të gjesh ndonjë person reagues edhe kur rreziku kanoset kolektivisht. Kam parë me sytë e mi dhe i kam fokusuar në aparat momentet e para të plasjes së tmerrshme të cisternave në Shëngjin. Por edhe pse ndodhi gjëma, për fat vetëm me djegien e mijëra ton nafte e benzoli, m'u në mes të Shëngjinit ndodhen ende një duzinë cisternash që në rastin më të keq, tërë atë vend do ta hidhnin në erë.Gërdeci do të ishte një përrallë me lepurushë, para saj që mund të ndodhte me popullsinë e atij qyteti dhe rajoni. Edhe pse kanë bërë dhjetëra peticione nja 3-4 njerëz, të tjerët as që e prishin qederin.

Për vite e vite, në Seliksë të Matit, tunelet e Qafë Shtamës plot me municion u bënë "mikpritësit" e njerëzve mbarë dhe sidomos e fëmijëve, për të përpunuar predha të artilerisë së rëndë. Ecnin shpenguar këta punëtorë të barutit, me qirinj e pisha mbi të, derisa ndodhi gjëma, dhe mbi 23 jetë njerëzore u fikën sa hap e mbyll sytë nga shpërthimi i fuqishëm për t'iu humbur përgjithnjë dhe eshtrat. Fshati reagoi vetëm pas gjëmës; më kanë thënë se i kanë mbyllur para pak ditësh. Shyqyr!

Më tej, dhjetëra tunele kromi hapen gjithandej Matit e Bulqizës nga njerëz amatorë dhe nuk dihet se si është bërë privatizimi i tyre, duke ndjellë vdekje të vijueshme, por askush nuk e mendon të keqen dhe nuk e publikon atë më protesta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›