Ç'janë çmimet e famshme "Oskar"?
Ç'janë çmimet e famshme "Oskar"?
Me termin "Oskar" thirret në mënyrë familjare Academy Award (Çmimi i Akademisë) një statujë metalike e lyer me ar, me lartësi 36 cm dhe me një peshë prej 5 kg. Jepet çdo verë nga Academy of Motion Picture Arts and Sciences, një shoqatë e themeluar nga producentët dhe kineastët amerikanë, në qershor të vitit 1929. Çmimi Oskar u dha për herë të parë në 6 maj të vitit 1929. Me të nderohen për filmin më të mirë, aktorët, regjisorët, kompozitorët etj.
Cila është historia e "Olivetti"-t?
Nëse e keni fjalën për markën Olivetti, atëherë bëhet fjalë për një grup industrial italian që vepron në sektorin e informatikës dhe të automatizimit të zyrave. U themelua më 1908 për prodhimin e makinave të shkrimit, më pas prodhoi edhe makina llogaritëse. Vitet e fundit e ka zgjeruar veprimtarinë dhe në bashkëpunim me shoqëri të tjera, është specializuar edhe në fushën e telekomunikacionit.
Cila ishte familja Karagjergjeviç?
Është emri i një dinastie serbe të themeluar nga Gjergj Petroviç, i njohur me pseudonimin Karagjergjeviç (Gjergji i Zi). Lindi në Vishevac (rreth 1768- 1817). Nacionalist serb, që luftoi kundër forcave turke. Djali i tij, Aleksandër Karagjergjeviç (1806- 1885), ishte princ i Serbisë nga 1842 deri më 1858. Për shqiptarët Dinastia e Karagjergjeviçëve është famëkeqe. Ajo ushtroi gjenocid të vazhdueshëm ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës e të viseve të tjera rreth saj.
Kush është universiteti më i vjetër?
10 universitetet më të vjetra të botës janë: 1. Quaraouyi në Marok, i themeluar në vitin 970; 2. Universiteti Al-Azhar në Kairo të Egjiptit, themeluar në vitin 970; 3. Universiteti i Parmës në Itali, themeluar në vitin 1054; 4. Ai i Bolonjës, në Itali, në vitin 1088; 5. I Modenës, në Itali, viti 1175; 6. I Peruxhias, në Itali, viti 1200. 7. I Padovës, në Itali -1222; 8. I Napolit, në Itali, në vitin 1224; 9. I Parisit dhe 10. I Sienës në Itali - në vitin 1240.