E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Është koha për bashkimin e së majtës dhe koalicionin fitues të saj



Shaban Sulçe
Partia Socialiste përshëndet dialogun e ri të iniciuar nga disa prej partive të opozitës për Kodin Zgjedhor, ndërkohë që nga tjetër u bën thirrje të gjitha forcave të majta për t’u bashkuar rreth koalicionit që do të fitojë zgjedhjet e vitit 2009 dhe do të largojë Sali Berishën nga pushteti. Fatmir Xhafaj, bashkëkryetari socialist i Komisionit për Reformën Zgjedhore deklaroi dje se PS-ja është e hapur për dialog dhe bashkëpunim me të gjitha forcat politike të së majtës. Ai shprehu vullnetin e PS-së për të bashkëpunuar dhe për të sigluar një marrëveshje solide me të gjitha partitë për krijimin e koalicionit fitues në zgjedhjet e ardhshme. “Ne mbetemi të hapur për dialog e bashkëpunim me partitë e tjera të opozitës së vërtetë, të gatshëm të dialogojmë e debatojmë për të arritur në qëndrime të përbashkëta bashkëpunimi elektoral në tryeza bisedimi e dialogu politik që përjashtojnë emocionet dhe mbështeten te argumenti e alternativat konkrete si rruga e vetme për bashkëpunim e bashkim politik dhe elektoral. Bashkëpunimin dhe bashkimin e forcave opozitare në një front të vetëm nuk e do vetëm Sali Berisha, i cili mund të rrijë në pushtet siç erdhi në të nëpërmjet paaftësisë dhe përçarjes së opozitës. Të gjithë bashkë mund të bëjmë shumë më shumë. Është koha e bashkimit për fitore, koha e bashkimit për t’u sjellë shqiptarëve qeverisjen që meritojnë për një jetë ndryshe, për një jetë më të mirë e më të sigurt për ta, për familjen dhe, mbi të gjitha, për të ardhmen e fëmijëve të tyre”, - u shpreh Xhafaj.
Përgjigjja ndaj LSI-së
Gjatë prononcimit të djeshëm, Xhafaj iu kundërpërgjigj qëndrimeve më të fundit të LSI-së përsa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me Kodin e ri Zgjedhor, apo idesë së hedhur nga PS-ja për formimin e koalicionit të përbërë. Ai i cilësoi euforike dhe aspak profesionale qëndrimet e LSI-së, e cila kundërshtoi propozimin për mënyrën e administrimit të zgjedhjeve dhe për formimin e koalicionit të përbërë. “Mund ta quash euforike, mund ta quash edhe të parakohshme reformën për administrimin zgjedhor, por s’ke asnjë të drejtë pse ta anatemosh dhe ironizosh atë dhe sidomos përderisa ky përbën një standard normal për demokracitë normale. Mund të mos e pranosh koalicionin e përbërë si një formë ligjore bashkëpunimi, por s’ke asnjë të drejtë të flasësh me emocion dhe fyerje bazuar në logjikën e paragjykimit të ndërtuar mbi padijeninë rreth propozimit dhe të praktikës ligjore që zbatohet edhe në vende të tjera ku aplikohet ky lloj sistemi zgjedhor”, - vijoi Xhafaj. Ai deklaroi se ftesa për koalicion nuk është një lutje ndaj partive të majta dhe as presion për të qenë pjesë e këtij koalicioni. “Ne nuk i lutemi askujt, nuk i bëjmë presion askujt për të qenë pjesë e këtij bashkimi por ftojmë sinqerisht të gjitha forcat opozitare të bashkohemi në një front të përbashkët opozitar elektoral”, - deklaroi deputeti socialist.
Kodi Zgjedhor
Bashkëkryetari socialist për Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore tha se Partia Socialiste e konsideron si prioritet kryesor hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Sipas Xhafajt, ky kod do të jetë një garant ligjor për të ruajtur zgjedhjet nga manipulimet. “Miratimi i Kodit të ri zgjedhor mbetet prioriteti ynë thelbësor dhe konsiderojmë se i tillë duhet të jetë për të gjithë faktorin politik parlamentar. Ne jemi një forcë politike që shohim nga e ardhmja. Reforma zgjedhore, Kodi i ri Elektoral janë tejet të rëndësishme për ne, sepse i hapin rrugë procesit elektoral, proces elektoral që kurorëzohet me procesin zgjedhor, proces zgjedhor i cili kërkohet dhe do të sjellë ndryshimin e madh të qeverisjes në këtë vend”, - vijoi Xhafaj. Deputeti socialist ka kundërshtuar gjithashtu projektligjin për Prokurorinë, të hartuar nga maxhoranca. Sipas Xhafajt, ky projektligj nuk është transparent.

1 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›