E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitën bankën me armë dhe maska, 25 vite burg për 3 autorët

DURRES - Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës dje vendosi dënimin me 25 vite burg për Admirim Elezin, Dasho Jaupllarin dhe Romeo Dapellin, të cilët akuzohen për grabitjen me armë e maska të filialit të NGB-së në Durrës në muajin shkurt të këtij viti.
Mësohet se identifikimi dhe më pas arrestimi i grabitësve të bankës u bë falë ndihmës që dha komuniteti, veçanërisht personat që u ndodhën ato momente pranë vendit të ngjarjes.
DENIMI
Togat e zeza të Durrësit shpallën fajtor Admirim Elezin nga Vlora për akuzat e "vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit" dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake". Për këto akuza ai u dënua me 10 vjet burg. Gjithashtu, gjykata deklaroi fajtor të pandehurin Dasho Jaupllari nga Tirana për të njëjtat akuza dhe e dënoi atë me 8 vjet burg. Ndërsa bashkëpunëtori i tretë në vjedhjen e bankës, Romeo Dapelli nga Tirana u dënua me 6 vjet e 8 muaj burgim.
Sipas policisë, tre personat në fjalë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin grabitën 36 mijë euro, 12 mijë dollarë dhe 810 mijë lekë.
NGJARJA
Më datë 20 shkurt të këtij viti, rreth orës 09:10, tre persona të maskuar dhe të armatosur u futën në filialin e NGB Durrës dhe nën kërcënimin e armëve detyruan punonjësen e arkës që t'u dorëzonte atyre të gjithë shumën e parave. E terrorizuar, punonjësja u detyrua që t'u dorëzojë atyre paratë. Më pas ata u larguan në këmbë nga banka, kapërcyen bulevardin kryesor, kaluan tunelin e pallatit pranë parkut sportiv dhe më pas hipën në një makinë "Ford festa" dhe u larguan prej andej. Menjëherë policia nisi hetimin për zbardhjen e grabitjes së filialit të bankës. Por, uniformat blu konstatuan se sekuencat filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së bankës e të ofruara, ishin mjaft të dobëta dhe nuk ndihmuan në zbulimin e grabitësve. Sipas drejtuesve të policisë së Durrësit, kanë qenë të dhënat e një dëshmitari okular ato që çuan në identifikimin dhe arrestimin e grabitësve.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›