E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhja e vrasjes së deputetit Xhindi, FNSH zbarkon në Roskovec

FIER - Zbardhja e vrasjes së ish-deputetit socialist, Fatmir Xhindi dje ka dërguar në Roskovec Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit. Tre forde të FNSH-së dhe një automjet i policisë rrugore që i paraprinte autokolonës, kanë mbërritur në qytezën e Roskovecit.

Lajmi konfirmohet nga burime konfidenciale të policisë së Fierit, por edhe nga banorë të zonës. Operacioni ka zgjatur vetëm 60 minuta. Pasi kanë kontrolluar në disa rrugë e lokale, forcat e FNSH-së janë larguar në drejtim të daljes së qytetit të Fierit.
Të kontaktuar me telefon, përfaqësues të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit nuk e kanë konfirmuar këtë aksion të FNSH-së. Ata u shprehën për Gazetën se "nuk kemi dijeni përse forcat e FNSH-së kanë shkuar në Roskovec, pasi kjo strukturë nuk varet prej nesh".

Nga ana tjetër, burime konfidenciale pohojnë se fillimisht uniformave blu u është thënë se do të jetë kontroll në kuadër të verifikimeve për automjetet luksoze dhe armëmbajtje pa leje. "Qëllimi i operacionit të FNSH-së ishte kapja e ekzekutorit të ish-deputetit socialist Fatmir Xhindi, pasi kishte informacion se ai ndodhej në Roskovec", - pohojnë burimet e mësipërme.

Fatmir Xhindi u vra më 2 maj të vitit 2009 para portës kryesore të banesës së tij në Roskovec. Djali i tij Andueli, i cili mori mandatin e deputetit vetëm pak javë më parë, ka deklaruar se një nga pikësynimet e tij është edhe zbardhja e vrasjes së babait të tij.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›