E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiten me maska dy kazino, merren 6 mijë dollarë



TIRANË - Dy kazino janë grabitur gjatë natës duke u gdhirë dita e djeshme. Një prej autorëve është kapur nga policia, ndërkohë që personat që kanë grabitur kazinonë në Korçë janë të paidentifikuar. Gjatë arrestimit të bërë në Lezhë, autori i dyshuar i grabitjes ka kërcënuar dhe policinë. Uniformat blu thanë se në Lezhë janë marrë rreth 4 mijë dollarë, ndërsa në Korçë 2 mijë. Policia ka nisur hetimet në lidhje me rastin e dytë të grabitjes, pasi për grabitjen në Lezhë e gjithë ngjarja është zbardhur.
Lezhë
Polica e Lezhës ka arritur të zbulojë brenda pak orësh një vjedhje të ndodhur në një prej lokaleve të lojërave të fatit në këtë qytet. I arrestuari është Anton Gjetja, 28 vjeç, me banim në fshatin Tresh të komunës Zejmen në Lezhë. Gjetja ka grabitur me armë pasditen e djeshme një kazino në qytetin e Lezhës, duke marrë shumën prej rreth 4 mijë dollarësh. Pasi janë njohur me rrethanat e ngjarjes dhe pasi kanë bërë identifikimin e autorit, forcat e policisë kanë shkuar në banesën e tij në fshatin Tresh. Pasi kanë shkuar në banesën e tij, forcat e policisë kanë kërkuar që të bëjnë kontrollin e shtëpisë, por janë kërcënuar nga 28-vjeçari. Me ndërhyrjen e forcave të tjera është bërë i mundur arrestimi i tij si dhe gjetja e disa armëve dhe parave që u vodhën në kazino. Grabitet me armë zjarri një sallë lojërash fati në Lezhë, ndërkohë që policia ka arritur të arrestojë në kohë autorin. Ngjarja ndodhi në lagjen “Gurra”, ku 28-vjeçari Anton Gjetja grabiti rreth 4 mijë dollarë nga kazinoja dhe më pas u largua me shpejtësi në banesën e tij, ku dhe u bë prangosja. Mësohet se në momentin e operacionit për kapjen e tij, Gjetja ka qëlluar me armë drejt policisë. Nuk është regjistruar asnjë efektiv apo person tjetër i lënduar.
Korçë
Një tjetër kazino është vjedhur, këtë herë në Korçë. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të policisë së qytetit juglindor. Burimet zyrtare nga uniformat blu thanë se autorët kanë përfituar nga mosprania e rojës për të hyrë në ambientet e kazinosë “Admiral” në qendër të Korçës. Pika e basteve është grabitur në qytetin e Korçës, nga ku vjedhësit kanë arritur të marrin gjithë shumën e lekëve që ndodhej në arkë. Vjedhja është bërë dje në një prej zonave më të sigurta në qytet. Hajdutët kanë hyrë në qendrën tregtare “City Center”, në qytetin e Korçës dhe prej andej kanë marrë rreth 2 mijë dollarë. Kjo ka qenë dhe shuma që ka pasur pika e basteve sportive. Denoncimi është bërë nga pronarët e pikës së basteve. Policia ka marrë në pyetje rojet që kanë pasur shërbimin në qendrën tregtare dhe gjithë personat që mund të kenë informacione për ngjarjen.

Përplasjet në rrugë, dy të vdekur dhe një person i plagosur
TIRANË - Dy të vdekur dhe një i plagosur është bilanci i aksidenteve të ndodhura në rrugë. Një 63-vjeçar është përplasur për vdekje në Kukës, ndërkohë që një tjetër aksident me vdekje ka ndodhur dhe në Fier. Ndërsa në Lezhë ka mbetur i plagosur një 60-vjeçar. Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se në vendin e quajtur Bardhoc, Kukës, një automjet me targa Kosove, që drejtohej nga kosovari Besim Hyseni, ka përplasur një kalimtar, i cili ishte në afërsi të rrugës për të dalë nga ana e tjetër. Nga përplasja, Xhevat Duraku, 63 vjeç, ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë Rrugore, të cilat kanë mbikëqyrur zonën e aksidentit dhe pas hetimeve paraprake kanë dalë në përfundimin se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e madhe e automjetit, tej normave të lejuara. Kjo vërtetohet edhe nga frenimi i mjetit, por dhe hedhja mbi 40 metra larg e trupit të kalimtarit gjatë përplasjes.
Ndërsa në Këmishtaj të Lushnjës është aksidentuar për vdekje një 57-vjeçar që po ngiste një biçikletë. Sipas policisë, Adem Guberaj u përplas nga një mjet tip “Ford”. Burimet policore bëjnë me dije se viktima kishte konsumuar sasi të mëdha alkooli, ndaj i ka prerë rrugën makinës.
Një tjetër aksident ndodhi në Lezhë, në vendin e quajtur Rotonda e fshatit Ishull Lezhë, nën urën e lumit Drin. Një automjet tip “Benz” me targa të huaja ka përplasur një motor me të cilin po udhëtonte një 60-vjeçar. Drejtuesi i motorit është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Lezhës ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Policia tha se aksidenti ndodhi për shkak të shpejtësisë së madhe nga dy drejtuesit.

Arrestohet burri që qëlloi me thikë ish-bashkëshorten
TIRANË - Është vënë në pranga një 52-vjeçar pasi ka sulmuar dhe plagosur me thikë gruan me të cilën ishte divorcuar. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës. Ata thanë se dy ditë më parë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë kanë bërë arrestimin në flagrancë të Petrit Jaskajt, 52 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye sepse është kapur në flagrancë, në Rrugën e Barrikadave, në momentin që ka goditur me armë të ftohtë thikë ish-bashkëshorten e tij, H. Jaskaj, 44 vjeçe, e cila është plagosur lehtë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Për gruan H. Jaskaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë kishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje, për shkak të dhunës në familje, ndërkohë që autori ka shkelur këtë vendim dhe materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprave penale të “plagosjes së lehtë me dashje”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, si dhe “pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.

Kapshticë, radhë emigrantësh në kufi, dogana greke punon me dy sportele
KORÇË - Radhë të gjata emigrantësh që presin të kthehen në shtetin grek ka pasur në pikën kufitare të Kapshticës. Shkak për këtë është bërë ndërprerja e punës për rreth 2 orë nga ana e doganës greke. Kjo ka shkaktuar radhë të gjata dhe pakënaqësi te emigrantët. Rreth 200 automjete kanë ndenjur në radhë në pritje të përpunimit të dokumenteve. Drejtuesit e doganës greke nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për këtë ndërprerje të pa paralajmëruar të punës në pikun e kthimit të emigrantëve në shtetin fqinj. Pas dy orë ndërprerjeje, dogana greke ka rifilluar punën me vetëm 2 sportele. Gjatë ditës kanë kaluar nëpërmjet kësaj pike kufitare rreth 3 mijë persona dhe vetëm gjatë javës së kaluar numri emigrantëve që janë kthyer në Greqi ka qenë 29 mijë.

Plagoset në Bjeshkët e Oroshit 24-vjeçari
MIRDITË - Një 24-vjeçar nga Mirdita është plagosur mesditën e djeshme nga persona ende të paidentifikuar. Bëhet fjalë për të riun Taulant Lleshi, gjendja e të cilit është rënduar së tepërmi gjatë transportimit për në spital. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Bjeshkët e Oroshit, por në vendngjarje nuk shkonte dot makina. Për pasojë, dy persona e kanë shoqëruar të riun në krah për në spital, ku ka mbërritur pas 3 orësh. Me të marrë njoftimin për ngjarjen, policia e Mirditës ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen, shkaqet e së cilës janë ende të panjohura, si dhe për identifikimin e autorëve të plagosjes.

31 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›