E Diel, 1 Nëntor 2026

Parkimi me pagesë, gjobiten me 7 mijë lekë qytetarët që nuk pajisen me faturën e parkimit



Gjoba dhe penalitete për të gjithë qytetarët që parkojnë makinën pa u pajisur me faturën e parkimit. Duke filluar nga 15 gushti, ku në disa zona të Tiranës Bashkia filloi zbatimin e projektit pilot për parkimin me pagesë, inspektorët e Bashkisë penalizojnë në masën 7 mijë lekë dhe me bllokim të automjeteve me karroatrec të gjithë qytetarët që nuk paguajnë faturën e parkimit. Nëse një qytetar ka parkuar makinën në një nga dy zonat ku ka nisur zbatimi i projektit të parkimit me pagesë dhe nuk ka prerë biletën në pikat e shitjes, makina e tij merret me karroatrec dhe çohet në një nga vendet e përcaktuara për bllokimin e këtyre automjeteve. Projekti i mësipërm u krye për të realizuar fillimin e aplikimit të pagesës së tarifës së parkimit, 100 lekë ora, miratuar nga Këshilli Bashkiak i qytetit. Sipas drejtuesve të Transportit në Bashki, ky projekt synon gjithashtu të lehtësojë trafikun e kryeqytetit duke u dhënë kështu përparësi këmbësorëve dhe lëvizjes me transportin publik. Për t’u lehtësuar blerjen e faturës së parkimit janë vendosur disa pika shitjeje në afërsi të vend-parkimeve publike me pagesë, të parashikuara në këtë projekt pilot. Pikat e shitjes janë vendosur në distanca të afërta, duke u mundësuar qytetarëve lehtësinë e pajisjes me biletë në çdo moment që ata do të vendosin të parkojnë mjetet e tyre në zonat e mësipërme, zona të cilat janë të pajisura edhe me sinjalistikën e nevojshme rrugore. Strukturat e Policisë Bashkiake çdo ditë po bëjnë kontroll dhe po marrin masat përkatëse administrative. Për kundërvajtësit e sistemit po aplikohen sanksionet e parashikuara në Kodin Rrugor, sanksione të cilat arrijnë deri në heqjen e mjetit me karroatrec.

Gjoba

Për ta marrë sërish makinën e tij, qytetari, të cilit i është sekuestruar makina, duhet të paguajë 7 mijë lekë, plus gjobën që nuk u pajis me faturën e parkimit. Në të kundërt nuk lejohet zhbllokimi i automjetit. Qytetarët që parkojnë makinat në zonën ku përfshihen dy anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga kompleksi i ministrive deri te sheshi “Nënë Tereza”, bulevardi "Gjergj Fishta", nga ura e madhe e "Dajtit", deri te ura "Dëshmorët e 4 Shkurtit" dhe që nga kryqëzimi i rrugës "Myslym Shyri" me rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit", deri tek ura e re që lidh zonën e ish-Bllokut me zonën e parkut “Rinia”, duhet të paguajnë biletën që kushton 100 lekë për orë. Edhe në zonën tjetër të përfshirë në projekt, që është zona përpara stadiumit "Qemal Stafa", e njohur si sheshi "Italia", me të gjitha rrethimet e tij, si nga krahu lindor, krahu verior dhe nga krahu perëndimor, qytetarët duhet të presin biletën e parkimit; në të kundërt, mosprerja e faturës u kushton shumë shtrenjtë kujtdo. Bashkia e Tiranës, në fillim të zbatimit të këtij projekti bëri të ditur se në rast se detyrimet nuk do të paguhen, atëherë do të ketë dhe masa administrative nga gjobat deri në bllokim të automjetit. Por, nga ky institucion nuk u bë e ditur asnjëherë se sa do ishte masa e gjobave që duhet të paguanin qytetarët në rast se nuk zbatonin rregullat e parkimit.

Zonat

Projekti pilot ka filluar që në datën 15 gusht dhe përfshin këto zona kryesore: dy anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” (aty ku lejohet parkimi, d.m.th. jo para institucioneve qeveritare dhe vendqëndrimeve të autobusëve dhe taksive), duke filluar nga kompleksi i ministrive deri te sheshi “Nënë Tereza”, bulevardi "Gjergj Fishta", nga ura e madhe e "Dajtit", deri tek ura "Dëshmorët e 4 Shkurtit" dhe që nga kryqëzimi i rrugës "Myslym Shyri" me rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit", deri tek ura e re që lidh zonën e ish-Bllokut me zonën e parkut “Rinia”. Gjithashtu, zona tjetër është zona përpara stadiumit "Qemal Stafa", e njohur si sheshi "Italia", me të gjithë rrethimet e tij, si nga krahu lindor, krahu verior dhe nga krahu perëndimor. Sipas strukturave të Policisë Bashkiake të Tiranës, qëllimi është ngritja e një sistemi të ri administrimi të parkimit, ku të ndahet sistemi i shitjes së biletës nga sistemi i kontrollit.

Pagesa:

Autobusë të të gjitha llojeve 100 lekë/orë
Autotaksi 8 – 10 vende 20 lekë/orë
Minibuse të tjera, të çdo lloji 30 lekë/orë

Autoveturat shtetërore dhe private:
Zona A 100 lekë/orë
Zona B 40 lekë/orë
Zona C 20 lekë/orë

Kamionët:
Deri 3.5 tonë 10 lekë/orë
Mbi 3.5 deri 8 tonë 15 lekë/orë
Mbi 8 deri në 14 tonë 20 lekë/orë
Mbi 14 tonë 50 lekë/orë

Zjarret, Ministria e Mjedisit: Shkak, neglizhenca e vendorëve

Ministria e Mjedisit fajëson pushtetin vendor për neglizhence në shuarjen e zjarreve dy ditët e fundit. Nga të dhënat më të fundit të Ministrisë së Mjedisit, në rrethin e Sarandës, nga 28-30 gushti ka pasur rreth 7 raste zjarresh, ku për një rast në zonën e Grazhdanit është ndaluar dhe një person për zjarrvënie të qëllimshme. Ndërkohë, në rrethin e Tepelenës, gjatë këtyre ditëve janë izoluar rreth 8 vatra zjarri, në Himarë 6 raste, në Fier një, në Kukës 2 vatra, në Pukë një, ndërsa në rrethin e Tropojës janë fikur të gjitha vatrat që kanë qenë aktive gjatë datës 28 gusht. Përsa i përket ditës së hënë, autoritetet e Ministrisë së Mjedisit nuk raportojnë zjarre aktive në këtë rreth. Ditët e fundit ka pasur zjarre në rrethin e Korçës, Tiranës, Malësisë së Madhe, Gjirokastrës, Përmetit, të cilat nuk kanë shkaktuar dëme falë ndërhyrjes së shpejtë të Shërbimit Pyjor, në disa raste është shfrytëzuar dhe ndërhyrja e ushtrisë. Një zjarr i fuqishëm ka rënë në komunën e Kastratit dhe ka prekur rreth 5 km lineare peme frutore në Bajze, pikërisht në afërsi të ish- fermës së vreshtave, ku aktualisht është e mbuluar me bimësi, kryesisht pemë frutore dhe shkurre. Për shkak të erës së fortë zjarri është përhapur me shpejtësi duke krijuar disa vatra të cilat krahas zonës fushore kanë përfshirë dhe malin i Jeranit, ku shtrihen fshatrat Vukpalaj e Zagorë. Për shuarjen e tij fillimisht kanë ndërhyrë tri mjete zjarrfikëse, dy të Malësisë së Madhe dhe një nga Shkodra e më pas janë përfshirë edhe banorët e zonës. “Ka bërë dëme shumë të mëdha në pemët frutore dhe kryesisht në shkurre. Në disa arra ka pasur të mbjella edhe sherebel. Përsa u përket dëmeve nëpër shtëpi, nuk ka pasur. Zjarri është i përmasave të mëdha. Banorët janë lajmëruar, ndërsa një pjesë e tyre janë gati të largohen nga shtëpitë nga momenti në moment nëse zjarri vazhdon”, - tha kryetari i komunës Kastrat, Gjovalin Vneshti. Për shkak të shtrirjes së madhe të flakëve në aksionin për fikjen e tyre u angazhuan edhe forcat operative të ushtrisë të repartit të Vaut të Dejës, të cilat kanë ndërhyrë kryesisht në zonat e thella në malin e Jeranit, ku terreni i vështirë dhe era e fortë pengonte depërtimin e mjeteve zjarrfikëse.

31 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›