Vetëhelmimet, një grua vdes, dy femra të tjera në gjendje të rëndë
TIRANË - Një grua ka ndërruar jetë pasi është vetëhelmuar, ndërsa dy femra të tjera ndodhen në gjendje të rëndë në spital. Ngjarjet kanë ndodhur në Durrës, Elbasan dhe Ersekë. Burime zyrtare nga policia kanë bërë të ditur se një grua 58-vjeçare i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar. Ngjarja ka ndodhur në Durrës dhe është bërë e ditur nga burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, pak ditë më parë, në orën 13:30, është dërguar e helmuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës në gjendje të rëndë shëndetësore, 58-vjeçarja me inicialet M. P., 58 vjeçe, lindur në Fushë-Arrëz e banuese në Durrës. Një ditë më vonë, rreth orës 13:00, po në Spitalin Ushtarak, Tiranë, gruaja ka ndërruar jetë. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezulton se kemi të bëjmë me një vetëhelmim tha policia. Vazhdon puna për saktësimin e rrethanave e shkaqeve të ngjarjes. Ndërkaq, në Elbasan, një grua 34-vjeçare është dërguar me urgjencë në spital, pasi ka pirë një sasi të madhe aspirinash, me qëllim që t’i jepte fund jetës. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se dy ditë më parë, spitali kirurgjik Elbasan ka njoftuar se ka mbërritur e shoqëruar nga familjarët e saj, e vetëhelmuar, shtetasja me inicialet B. M., 34 vjeçe, banuese në lagjen “Skënderbej” Elbasan. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu dhe kanë nisur hetimet. Nga të dhënat e para mësohet se kjo 34-vjeçare, në kushtet e depresionit, ka konsumuar një sasi ilaçesh të llojit aspirinë. Policia tha se gjendja e gruas 34-vjeçare është e rënduar.
Ndërsa në Ersekë, një adoleshente ka rrezikuar seriozisht jetën duke u helmuar në mënyrë aksidentale. Në vend të shishes me ujë për të shuar vapën, vajza 16-vjeçare me inicialet P. V. ka marrë shishen me pesticide dhe ka pirë nga ajo. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, në fshatin Gostivisht të Kolonjës, bën të ditur policia. Lënda e rrezikshme Rogor”, e cila është shumë e fortë, i ka dhënë menjëherë efektet në trupin e 16-vjeçares, duke i shkaktuar të vjella, spazma në stomak dhe dhimbje koke. Menjëherë të afërmit e vajzës e kanë dërguar atë në spitalin e Korçës për t’i dhënë ndihmën e parë. Pas dhënies së ndihmës së parë 16-vjeçarja ka arritur të marrë veten. Ndërkohë që mjekët janë duke bërë analizat për të parë dëmtimet që mund t’i ketë dhënë në organet e brendshme ilaçi helmues. Rogor është një insekticid shumë i fuqishëm që përdoret për spërkatjen e pemëve.
31 Gusht 2010