E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Qeveria s‘dha buxhet për Task-Forcën Antikorrupsion

 

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme tha dje se Qeveria nuk miratoi në buxhetin e vitit 2009 fondin e nevojshëm të parashikuar për ngritjen e Task-Forcës Antikorrupsion në rrethe. Në projektbuxhetin e hartuar nga specialistët e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të propozuar më pas në Ministrinë e Financave dhe në qeveri, ishte parashikuar edhe fondi i rrogave dhe shpenzimeve për 15 punonjës që do të bënin pjesë në administratën e njësive Task-Forcë Antikorrupsion që do të ngriheshin në prokuroritë e rretheve. Ngritja e tyre u paralajmërua që vitin e kaluar nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, e cila duke iu referuar shembullit të Task-Forcës së ngritur pranë Prokurorisë së Tiranës dhe rezultateve të larta të arritura prej saj, kërkoi që një shembull i tillë të realizohet edhe në rrethe të tjera të vendit për t’i dhënë impuls hetimit dhe goditjes së korrupsionit. Por projekti i Prokurorisë së Përgjithshme ka mbetur në letër, për shkak se Qeveria nuk ka miratuar shumën e parashikuar në buxhetin e vitit 2009 si fond për pagat dhe shpenzimet e 15 punonjësve që ishte planifikuar të bëheshin pjesë e Task-Forcës Antikorrupsion në prokuroritë e rretheve. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, në buxhetin e miratuar nga Këshilli i Ministrave për vitin 2009 zërin kryesor e zë fondi për pagat e 807 prokurorëve në të gjithë vendin. “Është përcaktuar shuma 880 milionë lekë për shpenzime pagash dhe sigurime, ndërkohë që në buxhet nuk është parashikuar fondi i dietave dhe orëve shtesë”, thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, në buxhetin e këtij viti, 48 milionë lekë janë dhënë caktuar për investime, ndërsa një shumë e tillë mësohet se do të shpenzohet për rikonstruksionin e prokurorive të qyteteve Pukë, Burrel dhe Berrat. “Nga fondi i investimeve mësohet se është planifikuar të realizohet edhe blerja e disa pajisjeve teknologjike për qendrën e përgjimeve që ndodhet në Prokurorinë e Përgjithshme”, thanë më tej burimet. Sipas tyre, 258 milionë lekë janë parashikuar për shpenzime operative dhe sipas vlerësimit të Prokurorisë kjo është një shumë e cila garanton funksionimin normal të punës në këtë aspekt.                         tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›