E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitesit e kazinove policia arreston 4 te dyshuar te bandes

Përfundon me arrestimin e 4 të dyshuarve si pjesëtarë të bandës grabitëse të kazinove, operacioni i skuadrës së operacioneve speciale të drejtorisë së policisë së Tiranës.

Gjatë operacionit që nisi rreth orës 22:45 të mbrëmjes së djeshme pati shkëmbim zjarri mes efektivëve të policisë dhe dy autorëve, që sapo kishin grabitur një kazino, pranë sheshit “Avni Rustemi”.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, mbeti i plagosur një agjent i skuadrës së operacioneve speciale, si edhe dy persona që sipas policisë janë të dyshuarit si grabitës.

Të njëjtat burime, thanë se dy të plagosurit janë personat që sapo kishin grabitur rreth 500 mijë lekë të reja në kazino. Policia shoqëroi 6 perona nga të cilët janë arrestuar 4.

Nga të arrestuarit dy janë personat që ndodhen në spital.

Policia deklaroi se grupi që drejtohej nga Bejo Pasho, njëri prej të plagosurve të arrestuar, ka realizuar rreth 15 ngjarje të tilla grabitjesh të lokaleve të lojërave të fatit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›