E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri i Bajernit Hajnkes eshte i kenaqur pas fitores ne Spanje

U arrit një fitore e madhe në fushë kundërshtare, një nisje perfekte e fushatës europiane. Bajerni i Mynihut respektoi parashikimet që e jepnin favorit ndaj Vilarealit dhe fitoi 2-0 në “El Madrigal”, ndërsa trajneri i bavarezëve, ambiciozi Jup Hajnkes, e ngre stekën edhe më lart.

“Ne thjesht fituam ndeshjen e parë në Champions. Natyrisht që ne duam t’i mbijetojmë fazës së grupeve. Gjithsesi, në këtë moment, mendoj se duhet të synojmë më shumë. Barcelona, Reali i Madridit dhe Mançester Junajtid janë 3 skuadra me potencial të jashtëzakonshëm dhe janë favoritë. Nëse ne e përmirësojmë lojën tonë, mund të jemi në gjendje të bashkohemi me këtë grup ekipesh.
Gjithnjë ndihmon kur fillohet me fitore. Unë gjithnjë besoja se mund të fitonim dhe ua thashë lojtarëve që të luanin për fitore”.

Për trajnerin e Vilarealit, Huan Karlos Garrido, skuadra e tij duhet të reagojë pas një fillimi jashtëzakonisht të vështirë të sezonit.

“Mund të ndodhë gjithçka. Ne e dimë se jemi në një grup të vështirë, me skuadra shumë cilësore. Ne e dimë se duhet të fitojmë ndeshjen e radhës dhe të fitojmë pikët që na duhen për t’u kualifikuar. Kemi pasur një nisje shumë të vështirë ndaj Barcelonës, Seviljes, Bajernit. Tani na duhet të fitojmë dhe të rifitojmë besimin pas këtyre ndeshjeve të vështira”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›