E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitësit e maskuar, sulm me armë në bankë

Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë vjedhur 200 mijë lekë të reja në një filial banke në Laprakë. Janë larguar me motor në drejtim të Durrësit

Dy persona të maskuar dhe me armë kanë sulmuar një bankë në Laprakë, duke u larguar me 200 mijë lekë të reja. Grabitja ndodhi mëngjesin e djeshëm, rreth orës 08:56 minuta, pak pasi ishin hapur dyert e bankës. Dy grabitësit ende të paidentifikuar kanë kërcënuar me armë dhe kanë thyer xhamin ndarës të sportelit të shërbimit, prej nga kanë marrë paratë. Hajdutët kanë shfrytëzuar një moment të përshtatshëm ndërsa roja i bankës ishte në pjesën e pasme të godinës duke kryer disa detyra standarde, të cilat kanë lidhje me sigurinë. Kaq ka mjaftuar që dy hajdutët të hyjnë të maskuar duke iu drejtuar njërës prej punonjëseve që të hidhte gjithë sasinë e lekëve të arkës në një çantë të zezë. Grabitësit kanë thyer dhe xhamin e sportelit në shenjë presioni, ndërsa pas më pak se dy minutash qëndrimi në bankë, kanë rrëmbyer sërish çantën nga duart e sportelistes dhe kanë ikur me vrap. Pasi kanë dalë nga banka, ata kanë hipur në një motor dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të Durrësit. Punonjësit e bankës kanë njoftuar menjëherë policinë, ndërsa mësohet se në bankë kanë qenë vetëm katër punonjës në momentin e grabitjes dhe vetëm dy prej tyre janë gjendur në sallën qendrore ku hynë grabitësit. Policia ka marrë në pyetje të gjithë punonjësit e bankës që ndodheshin prezent në atë moment, në përpjekje për të përftuar përshkrimin e saktë apo sa më shumë detaje në lidhje me dy grabitësit. Punonjësit e filialit “Procredit” kanë deklaruar për policinë karakteristikat e përgjithshme të grabitësve, si gjatësia apo pesha trupore, pasi tiparet e fytyrës së tyre kanë qenë tërësisht të paekspozuara për shkak se që të dy hajdutët mbanin kapuç në kokë në momentin e grabitjes. Për ngjarjen ka reaguar dhe “Procredit Bank”, e cila në një njoftim për median bën me dije së filiali i saj në Laprakë është grabitur nga dy persona të maskuar dhe armatosur. “Nuk ka asnjë lëndim të stafit që shërbente në atë kohë. Ngjarja është shoqëruar me dëmtime të vogla materiale dhe marrjen e një shume minimale monetare”, thuhet në njoftimin për shtyp të “Procredit”. Mësohet se i njëjti filial ka rënë preh e një vjedhjeje me armë edhe dy vite më parë, ku grabitësit mundën të merrnin rreth 3 milionë lekë të reja, për të ikur më pas me një automjet të cilin e kishin lënë të braktisur disa kilometra më larg. H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›