Grabitet zyra e Kolaudimit, qëllojnë rojën dhe marrin 20 milionë
Dy persona me motor dhe maska kanë qëlluar rojën e zyrës së Kolaudimit dhe trembur punonjësit duke marrë paratë që ndodheshin në tri arka ku paguhen taksat e mjeteve, e dyta grabitje brenda vitit
Vlorë-Dy persona të maskuar mbi një motor, pasi qëllojnë në drejtim të rojës dhe trembin punonjësit e zyrës ku bëhet regjistrimi dhe pagesa e taksave për makinat (KSHA) në Vlorë, arrijnë të marrin të pashqetësuar nga tri arkat 20 milionë lekë të vjetra. Skena është e njëjtë me atë që ndodhi në të njëjtin vend 6 muaj më parë në korrik, vetëm se këtë herë grabitësit që dyshohet se janë të njëjtët, kanë korrigjuar shënjestrën dhe kanë marrë 10 herë më shumë para nga kjo zyrë.
Ngjarja
Sipas dëshmitarëve, të dy personat kanë mbërritur me motor në ambientet e jashtme të zyrave dhe mbanin në duar armë të tipit pistoletë. Të frikësuar nga roja private e i armatosur me kallashnikov, në fillim ata kanë qëlluar në drejtim të tij për ta eliminuar, por fatmirësisht ky i fundit nuk ka pësuar gjë. Duket se me të dëgjuar të shtënat në zyrat e KSHA ka pasur panik dhe pjesa më e madhe e punonjësve dhe njerëzve që ndodheshin aty janë larguar. Dy grabitësit janë futur menjëherë në vendin ku ndodheshin tri arka për pagesën e taksave të mjeteve dhe kanë marrë gjithë paratë që ndodheshin në to. Menjëherë pas kësaj ata janë larguar në rrugicat që lidhin këtë zonë me pjesën tjetër të qytetit por edhe rrugët nacionale. Dëshmitarët thanë se nuk kanë mundur të identifikojnë grabitësit. Ndërkohë që mësohet se ata kanë goditur ndërsa ka qenë periudha që janë mbyllur arkëtimet nga klientët e KSHA-së, duke maksimizuar fitimin.
Hetimet
Policia dyshon se bëhet fjalë për të njëjtët persona që kanë sulmuar edhe më herët këtë zyrë, por ajo thotë se nuk ka asnjë emër të dyshuar, ndërsa po punon për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë policia e ka cilësuar aktin mjaft të rëndë, pasi ka ndodhur në zyrat e shtetit duke dhunuar institucionin dhe personelin. Ajo ka marrë në pyetje personelin e KSHA-së dhe persona të tjerë që ndodheshin në vendin e ngjarjes në momentin e grabitjes. Nga ana tjetër janë ngritur postblloqe në disa dalje rrugësh, por sipas uniformave blu ende nuk ka të dhëna se cilët mund të jenë autorët. Sipas dëshmitarëve bëhet fjalë për djem të rinj rreth të 20-tave, që duket se janë të informuar mirë për zonën, pasi kanë mundur të largohen menjëherë përmes rrugicave. Vlora është goditur disa herë nga grabitjet këtë vit, brenda pak muajsh janë sulmuar disa herë bankat e qytetit dhe dy herë zyrat e KSHA-së. Policia ka mundur të arrestojë vetëm një pjesë të grabitësve.
Rasti në korrik, grabitësit morën vetëm 2 milion të vjetra
Arka e ndërmarrjes së KSHA-së ku bëhet kolaudimi dhe regjistrimi i automjeteve, u sulmua edhe në mes të korrikut. Sipas policisë së Vlorës, dy personat me motor dhe të maskuar, ende të paidentifikuar, kanë kërcënuar me armë zjarri punonjësit e kësaj ndërmarrjeje duke marrë më pas në arkën e saj 200 mijë lekë. “Ngjarja ndodhi në orët e paradites së 23 korrikut, kur autorët kanë shkuar te vendi ku kryhet kolaudimi i automjeteve. Njëri prej tyre ka nxjerrë një armë pistoletë duke kërcënuar punonjësit që t’u dorëzonin lekët që ishin në arkë”, njoftoi atëherë policia. Mësohet se punonjësit e KSHA-së nuk janë bindur fillimisht, por personi që mbante armën ka qëlluar një herë në ajër duke kërcënuar se do të shtinte në drejtim të tyre nëse nuk i bindeshin. Të ndodhur në këto kushte, ata u kanë dorëzuar të gjithë shumën që kishin në atë moment në arkë, e cila kapte shifrën e 200 mijë lekëve. “Pasi morën paratë, na thanë të mos lëviznim dhe të mos sinjalizonim policinë. Na drejtuan armën duke na kërcënuar se do të na vrisnin nëse bënim ndonjë veprim për t’i kundërshtuar”, dëshmuan punonjëset pas ngjarjes.