Situata e motit, zhbllokohen rrugët kombëtare, izolohen komunat
Priten reshje të reja dëbore dhe ulje temperaturash, ndërsa mjaft komuna dhe fshatra malorë janë bllokuar prej borës në trashësi deri 70 centimetra
Zhbllokohen akset rrugore kombëtare, por priten reshje të reja dhe temperatura më të ulëta që mund të sjellin bllokime të tjera në një pjesë të këtyre rrugëve, ku aktualisht lëvizet vetëm me zinxhirë. Emergjencat Civile ndërkohë kanë njoftuar se një sërë fshatrash malorë në veri janë tashmë të izoluar për shkak të dëborës në trashësi mbi 70 centimetra.
Rrugët kombëtare
Llogaraja, Krraba dhe Qafë-Thana që u bllokuan dy ditë më parë, kanë qenë të kalueshme gjatë ditës së djeshme pas pastrimit të dëborës. Kështu në Llogara, në të gjithë segmentin e bllokuar është hapur një kalim për makinat dhe ato duhet të lëvizin me zinxhirë. Ndërkohë, në dy qafat e tjera të maleve që paraqiteshin problematike kalimi deri dje në mbrëmje ka qenë normal, edhe pse priteshin reshje të reja dëbore dhe ulje e mëtejshme e temperaturave që mund sjellë sërish probleme në këto zona. Ndërkohë në Veri janë shfaqur probleme në rrugën nacionale Peshkopi-Kukës dhe në segmentin Maqellarë-Qafa e Buallit, por këto rrugë mbeten të kalueshme edhe pse ka një përqendrim forcash për të shmangur aksidentet për shkak të ngricave dhe reshjeve.
Komunat
Në mjaft zona të thella malore në Shkodër, Kukës dhe Peshkopi trashësia e dëborës ka shkuar deri në 70 cm dhe si pasojë shumë fshatra kanë mbetur të izoluara, ndërsa raportohet të ketë probleme në furnizimin me energji elektrike të banorëve. Tërësisht e bllokuar është komuna e Vermoshit, ndërsa me vështirësi të mëdha kalohet në Malësinë e Dukagjinit. Po ashtu, dhjetëra komuna në qarkun e Dibrës dhe Kukësit janë të mbuluara nga dëbora. Në mjaft akse rrugore kalimi i automjeteve bëhet me zinxhirë si pasojë edhe e ngricave të krijuara gjatë natës. Situata sipas Emergjencave Civile, aktualisht është nën kontroll dhe nuk bëhet fjalë për nevoja emergjente.
Sipas Shërbimit të Emergjencave Civile, në rast të bllokimit të rrugëve, izolimit të komunave, rrëshqitjeve të dherave, rritjes së nivelit të ujërave në rezervuare si dhe furnizimin me ujë të pijshëm, energji elektrike dhe ilaçe për spitalet janë marrë të gjitha masat për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Ndërkohë problematike ka qenë situata edhe në komuna më në brendësi të vendit, në malësitë mbi Gramshin dhe disa komuna të tjera të Elbasanit e Korçës.