E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitësit e sllovenëve: Menduam se ishin emigrantë

 

DURRES- Pak orë pas grabitjes së katër sllovenëve, policia e Durrësit në bashkëpunim me atë të Krujës dhe Tiranës arrestuan autorët dhe zbardhën skemën e kësaj ngjarjeje. Imer Hila, 35 vjeç, dhe Gazmend Kulla 19 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje autoveture, u prangosën pak orë pasi bastisën shtetasit e BE-së. Operacioni është koduar jo rastësisht nga policia “SAAB 2009”, pasi emri i tij përkon me markën e makinës së vjedhur, nga dy keqbërësit. “Saab”, kjo veturë e kushtueshme e prodhimit suedez, me vlerë 30 mijë euro, prodhim i vitit 2004 me targë KPL 3927, ishte në pronësi të sllovenëve, kur u grabit së bashku me shumën në valutë prej 2800 eurosh, dy aparate fotografikë, katër celularë si dhe valixhet e udhëtimit. Pas grabitjes në largësi, rreth një kilometër nga vendi i ngjarjes, keqbërësit kanë braktisur automjetin tip “Ford Fiesta” (të vjedhur në Tiranë), duke i vënë zjarrin, për humbjen e gjurmëve dhe provave të tjera shkencore”, bëri të ditur policia. Sipas burimeve, të arrestuarit kanë pranuar krimin duke dhënë edhe detaje të kryerjes së saj. “Grabitëm në Tiranë një makinë të cilën do ta dërgonim në fshatin Arameras të Krujës tek shtëpia e Gazmend Kullës. Në Kamzë na parakaluan sllovenët. I ndoqëm nga pas duke bërë edhe planin për t’i ndaluar kur të hynin në pjesën ku po zgjerohej rruga e autostradës. Iu zumë rrugën duke menduar se janë emigrantë, por vumë re se ata nuk dinin shqip. Kjo na e bëri më të lehtë grabitjen. I nxorëm nga makina dhe filluam t’i kontrollonim nëpër xhepa. Iu morëm më pas edhe mjetet e komunikimit dhe makinën. Për të humbur gjurmë lamë makinën tonë në Thumanë, duke e djegur atë”, u shpreh Hila për grupin e hetimit. Ai u arrestua në një banesë të cilën e kish marrë me qira në zonën e Saukut, ndërsa Gazmend Kulla u arrestua në një lokal pranë Prokurorisë së Tiranës.      o.u/r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›