E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia: Ballkani në BE në 2014

 

ADI SHKEMBI

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian brenda vitit 2014. Plani i Kryeministrit të Greqisë, Jorgo Papandreu është artikuluar dy ditët e fundit në Tiranë nga Ministri Plotësues i Jashtëm i vendit fqinj, Dimitris Droutsas, gjatë një turi takimesh me krerët e shtetit. Në ditën e dytë të vizitës në vendin tonë zyrtari i lartë i Athinës u takua me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Bashkisë së kryeqytetit në këtë takim Rama përshëndeti fitoren e Papandreut dhe informoi Ministrin Plotësues lidhur me situatën politike në vend. “Ishte një kënaqësi e veçantë të prisja sot në Tiranë, përfaqësuesin e parë zyrtar të qeverisë së re greke dhe të shkëmbeja me të kënaqësinë jo vetëm timen, jo vetëm të Partisë që unë drejtoj, por të të gjithë atyre emigrantëve në Greqi, që u gëzuan seriozisht për fitoren e mikut tonë George Papandreu dhe njëkohësisht të informoja, lidhur me situatën aktuale politike në Shqipëri, si dhe me zhvillimet e mëtejshme të kryeqytetit”. Njëkohësisht Ministri Plotësues i Jashtëm, Droutsas, nënvizoi faktin se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shohin të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian dhe se Greqia është një partner i besueshëm, i cili mbështet përpjekjet në rrugën drejt integrimit në familjen evropiane dhe demokracisë. Zyrtari i lartë i Athinës u takua gjatë ditës së parë me krerët më të lartë të shtetit, Presidentin Bamir Topi, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministrin Sali Berisha dhe Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Gjatë takimit me Topallin, ai vlerësoi vendimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, e po ashtu për liberalizimin e vizave që pritet të realizohet në vitin e ardhshëm. “Duke sjellë në vëmendje synimet e agjendës së Selanikut të vitit 2003 për Ballkanin Perëndimor, si dhe objektivin e politikës greke për të pasur si limit vitin 2014 për integrimin e vendeve të kësaj zone në BE, zoti Droutsas shprehu gjithë gatishmërinë për mbështetje të Shqipërisë përgjatë proceseve, deri në anëtarësimin e plotë në BE”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit. Topalli e vlerësoi liberalizimin e vizave, si një nga çështjet më të rëndësishme për shqiptarët, të cilët pas izolimit të gjatë, tashmë janë ndarë me familjarët e tyre emigrantë pasi nuk mund të lëvizin dot të lirë në vendet e Bashkimit Evropian. Në këtë takim u bisedua gjithashtu edhe për integrimin e emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët ministri grek i cilësoi si shumë të rëndësishëm edhe në lidhjet mes dy vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›