Shikasi shantazh pedagoges me 4 mijë euro, arrestohet
GJIROKASTER/ PIRO NASE
I bënë shantazh pedagoges së Universitetit të Gjirokastrës, arrestohen oficeri i SHISH-it si dhe një inspektor i Tatim-Taksave. Zanafilla e këtij skandali me punonjësit e administratës është bërë një material filmik komprometues, në të cilën të arrestuarit pretendonin se ishte protagoniste kryesore pedagogia M.Z. Duke përfituar nga filmimet që dispononin, Laert Braho 30 vjeç dhe Adriatik Çalaj, 29 vjeç, i kanë bërë në mënyrë të vazhdueshme shantazh pedagoges duke i kërkuar 4 mijë euro në këmbim të mospublikimit. E ndodhur në një situatë të tillë, pedagogia 52-vjeçare është futur në negociata me dy të rinjtë. Por njëherazi ajo ka vënë në dijeni Departamentin e Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Kjo e fundit ia përcolli çështjen për hetim policisë së Gjirokastrës.
Blutë organizuan operacionin e koduar “Inteligjenca”, nga ku do të ndërhynin në momentin që 52-vjeçarja do t’iu jepte atyre shumën e parave, të cilën rezultoi se e kishte caktuar vetë ajo. Më pas këtë shumë ia kishin kërkuar në mënyrë të vazhdueshme personat që i bënin shantazh. Dhënia e sasisë së premtuar për Brahon dhe Çalajn, do të realizohej në një ambjent publik, për të eliminuar çdo dyshim. Por punonjësit e administratës nuk e kishin menduar kurthin dhe përfunduan në pranga në momentin e dorëzimit të parave. “Prangosja ka ardhur si pjesë e operacionit të koduar “Inteligjenca”, i cili është finalizuar pas një pune të gjatë të mirëfilltë policore”, bëri të ditur policia e Gjirokastrës. Sipas burimeve, për hetimin e kësaj çështjeje janë përdorur metoda speciale të hetimit të krimit. Gjithashtu janë koordinuar edhe veprimet e Specialistëve të Sektorit Kundër Krimit Financiar në Policinë e Gjirokastrës me ato të Specialistëve të Departamentit të Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Sipas policisë, Calaj dhe Braho kanë kontaktuar me pedagogen para disa ditëve, duke e informuar atë se dispononin një material filmik i cili nëse do të bëhej publik, do t’i sillte mjaft telashe asaj dhe familjes. Pedagogia e trembur iu ka kërkuar dy personave të mos ndërmerrnin asnjë hap të tillë. Duke përfituar nga kjo situatë, Calaj dhe Braho i kanë kërkuar asaj para në këmbim të mospublikimit. Viktima e filmimit, pasi i ka lënë negociatat të hapura, kontaktoi me policinë ndërsa më pas iu ofroi dy punonjësve të administratës 4 mijë euro. Vendi dhe ora e takimit për dorëzimin e eurove u caktua nga pedagogia. Në takim erdhi punonjësi i tatim-taksave, Laert Braho, të cilit i’u vendosën hekurat nga ana e policëve ndërkohë që shuma e eurove u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Më pas, blutë arrestuan edhe shikasin Adriatik Çalaj, i cili ishte përfshirë në këtë skandal duke siguruar pamjet. Atij i’u gjet edhe një disketë me materiale kompromentuese për pedagogen A.Sh. Pas arrestimit, prokuroria ngriti akuzën e “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike të kryer në bashkëpunim” për dy punonjësit e administratës. Policia nuk dha hollësi për materialet filmime, por sipas burimeve, ato e kompromentojnë pedagogen për marrje ryshfeti me studentët e saj, deri në 200 euro për një provim. Dy personat e arrestuar, Laert Braho dhe Adriatik Calaj, pritet të dalin në gjykatë për masën e arrestit. Burimet e policisë nuk bënë të ditur nëse do të nisë hetimi për mitmarrje nga ana e pedagoges. Kjo pasi momentalisht operacioni ishte përqendruar tek personat që i bënin shantazh asaj. Por nuk përjashtohet mundësia që të nisë hetimi edhe për pedagogen, nëse gjenden elementë që e kompromentojnë atë në marrjen e ryshfetit.
“Pedagogia u filmua dy herë”
Pedagogia e cila ra viktimë e filmimeve të realizuara nga një person i tretë, është shefja e një prej departamenteve në Universitetin e Gjirokastrës. Sipas policisë, M. Z,. 52 vjeçe, mban edhe gradën doktoreshë e shkencave ekonomike. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se pedagogia është filmuar dy herë duke marrë ryshfet nga dy persona, në këmbim të marrjes së provimeve në lëndën e saj. Sipas këtij burimi, filmimet janë realizuar në një ambient në Universitetin e Gjirokastrës dhe materiali tjetër i filmuar në derën e shtëpisë së saj. Shumat e dhëna tek pedagogia në këmbim të marrjes së një note kaluese për studentët, ishte 200 euro për provim. “Kjo është shuma normale e marrjes së një note kaluese në Universitetin “Eqrem Cabej”, përsa i takon studentëve të lëndëve të vështira”, u shprehen për gazetën dy studentë, R.D., dhe T.N., nga Gjirokastra. Duke pasur në dispozicion materialin filmik, njëri prej të ndaluarve, Adriatik Çalaj, ka kontaktuar i pari me pedagogen duke e informuar atë për rrezikun që i kanosej nëse do të publikohej materiali, apo nëse ata e çonin atë në prokurori. Ishte kjo forma e zgjedhur nga ana e njërit prej të ndaluarve të djeshëm, për të përfituar një shumë të cilën sipas të dhënave ishte e caktuar nga vetë viktima e filmimit kompromentues. p.n